AKTUALITET, 7 Gusht 2023, 11:42

Unaza e Durrësit burim aksidentesh, Konfindustria: Rruga është pa asnjë standard

Unaza e Durrësit burim aksidentesh, Konfindustria: Rruga është pa

Konfindustria i kërkon ekzekutivit dhe Kryeministrit Edi Rama të ndërhyjë sa më shpejt në përmirësimin e gjendjes tërësisht jashtë standardeve minimale dhe mjaft të rrezikshme për të prodhuar deri aksidente fatale të rrugës së Unazës së Durrësit.

Unaza e Durrësit, një nga akset më të rëndësishme dhe të ngarkuara të rrjetit rrugor kombëtar, paraqitet me segmente të tëra të shkatërruara, që jo vetëm shkaktojnë problematika të mëdha për biznesin dhe qytetarët, por edhe paraqesin rrezik të qartë për aksidente me pasoja fatale.

Ndërhyrja në aksin rrugor të mësipërm bëhet edhe më e domosdoshme në vazhdim të pikut të sezonit turistik 2023 dhe përmirësimin e imazhit të vendit. Konfindustria vlerëson, se në tërësi punimet e mirëmbajtjes së sistemit rrugor në shkallë vendi janë dukshëm të cilësisë së dobët, me shpërdorime masive të financimeve publike dhe shfaqje të dukshme të korrupsionit dhe subjektivizmit nga agjencitë shtetërore përgjegjëse.

Në segmente të tëra rrugore, punimet përmirësuese nga kompanitë nuk kryhen fare dhe/ose janë në shkelje të qartë të kontratave. Sistemi ndriçimit në gjithë superstradat vendore nuk është i pranishëm, duke krijuar vështirësi të mëdha në trafik dhe rritjen e dukshme të mundësisë për aksidente.

Në sa më sipër vlerësohet, se përveç dhjetëra milionë euro/vit të fondit të mirëmbajtjes nga buxheti i shtetit, përfshihet edhe shpërdorimi i fondit prej 80 milion dollarë të projektit të kredisë së Bankës Botërore për rrugët.

Konfindustria vlerëson, se gjendja tërësisht jashtë standardit e mirëmbajtjes së pjesëve të shumta të rrjetit rrugor shqiptar, pavarësisht qindra milionë euro financimeve publike të larta të shpenzuara, bashkangjitur me pasojat e rënda për qytetarët, biznesin dhe ekonominë kombëtare, përbën skandal korrupsioni dhe subjektivizmi të përvitshëm të përmasave të mëdha, që duhet adresuar edhe nga SPAK.

Konfindustria vlerëson, se edhe në rrugët e dhëna me kontrata koncesionare dhe/ose PPP, gjendja paraqitet mjaft e vështirë dhe mungon përgjegjësia e autoriteteve shtetërore për të bërë të tejdukshme shkaqet problematikave si dhe marrjen e masave përkatëse ndaj shkelësve ligjorë.