AKTUALITET, 1 Shkurt 2022, 11:20

Makina doli nga rruga dhe përfundoi në Shkumbin, rëndohet bilanci i aksidentit në Elbasan, një i vdekur

Makina doli nga rruga dhe përfundoi në Shkumbin, rëndohet bilanci

Një ngjarje e rëndë është shënuar mëngjesin e kësaj të marte në aksin kombëtar Librazhd-Elbasan, ku një makinë ka humbur kontrollin dhe ka përfunduar në rrjedhën e Lumit Shkumbin.

Balkan Web raporton se është shënuar një viktimë nga aksidenti.

Deri më tani janë nxjerrë nga mjeti tre persona, një burrë, një grua dhe një fëmijë i moshës 9 vjeç. Vogëlushi ndodhet në gjendje të rënduar dhe është drejtuar për në Spitalin Nënë Tereza në kryeqytet, për t’iu nënshtruar një ndërhyrjeje.

Sakaq, bëhet e ditur se ende ndodhen dy persona të mbyllur brenda në makinë.

Shanset që ata të jenë ende gjallë janë të pakta. Kjo pasi mjeti ndodhet katër metra nën thellësinë e ujit dhe nxjerrja e tyre në një kohë të shpejtë është tepër e vështirë.

Nga informacionet e siguruara, bëhet e ditur se personat që ndodheshin brenda mjetit vijnë nga një bashki të një zone veriore. Ky përfundim ka dalë nga mjekët, të cilët i janë referuar dialektit të përdorur nga të plagosurit.