TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kreu i grupit të PS, Taulant Balla i la afat opozitës deri në mbrëmje për të vendosur nëse do shkojnë apo jo në komisionin për Reformën Territoriale. Balla ironizoi opozitën pas mbledhjes së grupit, duke thënë se çfarë thonë në darkë nuk e thonë në mëngjes.
Pra,propozimi i PS për zhbërjen e formulës së barazisë, nuk do të hiqet nga rendi i ditës, por opozita ka kohë deri në momentin e votimit që të vendosë nëse do shkojnë ose jo në komision.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla tha se opozita ndryshon mendim nga mëngjesi në darkë. Ndërkohë i kërkoi atyre që të ndajnë mendjen nëse do marrin apo jo pjesë në Komisionin e Posaçëm të Reformës Territoriale.
PS ka paralajmëruar se nëse nuk marrin pjesë atëherë do të ndryshojnë formulën, duke marrë drejtimin dhe shumicën e komisionit.
Megjithatë Balla i la sërish kohë deri në darkë për të vendosur nëse do të marrin apo jo pjesë në mbledhje.
“Ca thoni në darkë nuk e thoni në mëngjes. Ç’thoni në darkë nuk e thoni në mëngjes. Doli dje ky zotëria, që as nuk kuptohej pyeta Chat GPT, dhe tha u tërhoqëm nga bojkoti. Këtë haber na sollët dje. Sot jeni tërhequr.
Më komunikuan mbrëmë që ju jeni tërhequr nga bojkoti, të paktën këtë haber na keni sjell dje. Sot shoh që jeni tërhequr nga ajo që keni vendos dje. Këta nuk janë tërhequr nga bojkoti. Jeni aq kakafonik sa për një çështje çoheni 2 veta. Tani jeni shpartalluar se ca kanë ik, ca janë pa qejf, ca nuk vinë. Zonja dhe zotërinj të PD-së, ju angazhoheni që të merrni pjesë rregullisht në mbledhje të Komisionit, ta dimë.
Këtë gjë e keni deri në darke, kur të vijë vendimi. Në rast se na thoni do vijmë në mbledhje, jo kjo historia që i thashë bashkëkryetarit, se unë nuk isha, nuk bëhet mbledhja e komisionit me 8, se 8 e do dhe një të bëhet 9 dhe të jetë 1 më shumë se gjysma. Ne po ju themi, nëse ju vini nuk ka nevojë ta ndryshojmë, na e thoni deri në darkë, se në mëngjes keni mend të tjera, në darkë mend të tjera. Nëse na thoni do të vijmë në mbledhje, ok, nuk bëhet mbledhja me 8 se është gjysma e 16 por juve ju la pa shkollë Luli. Nëse keni ndërmend të vini na e thoni”, tha Balla.
Përgjigjen e mori nga Luçiano Boçi, i cili tha se PD nuk ka bojkotuar, por mbledhjet janë thirrur në mënyrë të njëanshme.
“Nuk ka pasur mbledhje të vlefshme, mbledhja thirret në konsultim me kryesinë e komisionit. Nuk mund të dilni dot në konkluzion që kemi qenë ne apo jo, prandaj keni nevojë për Chat GPT. Mos vendosni ultimatume, ne jemi parti që vendimet i marrim vetë, keni për detyrë të zbatoni rregulloren dhe kushtetutën”, tha Boçi.