TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Seanca plenare e Kuvendit ka nisur me debate sa i takon bojkotit të komisionit të reformës territoriale. Pavarësisht debateve brenda në selinë blu, demokratët thanë se nuk kanë bojkotuar dhe kërkuan që të hiqet nga rendi i ditës propozimi i PS për zhbërjen e barazisë.
“Nëse do ishit pjese e mbledhjes dje, projekt-vendimi nuk do ishte futur”, u përgjigj nënkryetarja Klodiana Spahiu.
Ndërkohë në axhendë përfshihet një interpelancë me ministrin e Drejtësisë, Besfort Lamallari, të kërkuar nga deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, i cili kërkon sqarime për rekomandimet e Avokatit të Popullit lidhur me trajtimin e ish-presidentit Ilir Meta, i cili ndodhet në qeli.
Boçi-mazhorancës: Ultimatumi i vendosur nga ju, turp! Nuk jemi noterët tuaj
Deputeti demokrat, Luçiano Boçi deklaroi se mazhoranca nuk mund t'i vendosë ultimatum opozitës lidhur me mbledhjen për reformën territoriale.
“Nuk ka pasur marrëveshje në Konferencën e Kryetarëve, është diskutuar, është dhënë ultimatum për mbledhjen nga komisioni për reformën territoriale. Një mbledhje e komisionit, kur ka një kyetar, thirret përmes dakordësisë së kryesisë së komisionit. Kurse komisioni i poaçëm thirret me urdhrin e një bashkëkryetari.
Nuk ka dakordësi, nuk ka konsultim, unë jam bashkëkryetari. Kjo mbledhje është nul dhe mbledhjet e tjera nuk janë thirrur në konsulencë me kryesinë e komisionit, që përbëhet nga dy bashkëkryetarë. Ku është rregullorja e parlamentit, pazar është këtu? Kjo është e turpshme.
Më e turpshme është ultimatumi që u dha në Konferencën e Kryetarëve. I morët të gjitha, merrni edhe komisionet e përhershme, pse nuk i merrni? Vijnë këtu anëtarët e komisionit të posaçëm dhe firmosin ndryshimin e përbërjes së komisionit. Noterët tuaj jemi ne? E bëtë copë Shqipërinë me reformën territoriale. I themi qytetarëve, ne do jemi në shesh, ne do japim opsionin tonë, por jo me ju,jo me shumicën e imponuar nga ju. Me ju çfarë nuk shihet, çfarë nuk dëgjohet.", theksoi ai.
Zhupa: Hiqni nga rendi i ditës ndryshimin e formulës për ‘Territorialen’!
Deputetja e PD Ina Zhupa ka kërkuar që të hiqet nga rendi i ditës pika për votimin e ndryshimit të formulës së komisioneve të posaçme. Kjo vjen për shkak të mosparaqitjes së deputetëve të PD në komisione në kuadër të një bojkoti.
Sipas diskutimeve në Konferencën e Kryetarëve, nëse anëtarët e PD nuk do të paraqiteshin në mbledhjen e të hënës në Komisionin për Reformën Territoriale, do të prishej bashkëdrejtimi dhe shumica do t’i kalonte PS-së. Zhupa thotë se kjo pikë e ditës nuk është votuar në Konferencën e Kryetarëve dhe se mbledhja e të hënës është thirrur pa dakordësi mes dy bashkëkryetarëve.
"Dua t’i kujtoj mazhorancës që në Konferencën e Kryetarëve nuk është votuar as pro, as kundër për një vendim të tillë. Është marrë vendim, dhe me propozimin e kreut të grupit të PD-së, që kjo çështje do të shtyhej dhe do të kishim mundësi për të diktuar për territorialen. Nuk është votuar në Konferencën e Kryetarëve. Diçka e pavotuar në Konferencën e Kryetarëve nuk mund të futet për votim në seancë plenare. PD ka qenë gjithmonë e gatshme t’i qëndrojë vendimit që ka votuar këtu në Kuvend, bashkërisht, për të bërë reformën territoriale.
Ju e bëtë njëherë në mënyrë të njëanshme në vitin 2014 dhe e pranoni që ka qenë e dështuar. Nëse do të bëjmë një reformë që t’u shërbejë qytetarëve, qëndrojini vendimit që ka marrë Parlamenti, me ndihmën edhe të ndërkombëtarëve, për të pasur kryesinë dhe për të vendosur duke dëgjuar ekspertët. Tërhiqeni atë projektvendim që keni futur pa rregullore. Janë dy bashkëkryetarë që duhet të bashkërendojnë për mbledhjet. Nuk mundet PS t’i imponohet PD-së. Ndaj janë dy bashkëkryetarë. Dhe në mbledhjet e komisioneve të zakonshme bashkërendojmë me njëri-tjetrin", tha Zhupa.