AKTUALITET, 9 Tetor 2023, 11:19

Llagani: Të qenurit anëtar i KLGJ është mision! Ja sfidat që do të përballen përfaqësuesit e rinj

Llagani: Të qenurit anëtar i KLGJ është mision! Ja sfidat

Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Nureda Llagani, ka deklaruar se ky këshill ka arritur të thyejë disa tabu dhe është ndërtuarme themele të forta e me standarde të fundit.

Ajo theksoi se përfaqësuesit e rinj që do të zgjidhen përveç dëshirës për të kontribuar duhet të kenë edhe aftësinë për tu përballur me sfida të reja, të vazhdimësisë dhe të nostalgjisë ndaj të shkuarës.

“Këshilli sot është shtëpia jonë e përbashkët, është ndërtuar si ajo e legjendës së Rozafës, mbi sakrificat tuaja, mbi punën tonë. Sfidën tonë e arritëm, të ndërtojmë me themele të forta dhe me standarde të fundit. Sfida jonë ishte për të vendosur një model dhe standard të ri ku të gjithë pjesët më vitale të shoqërisë të kontribuonin në ngjizen e drejtësisë.

Disa tabu i thyem, kemi krijuar një mundësi të re dhe frymë të re bashkëpunimi.

Sot, sfida e atyre që kandidojnë dhe atyre që zgjidhni për të përfaqësuar në këtë këshill është që përveç dëshirës për të kontribuar duhet të kenë edhe aftësinë për tu përballur me sfida të reja, të vazhdimësisë dhe të nostalgjisë ndaj të shkuarës. Anëtarët që vijnë nga forumi gjyqësor kanë përgjegjësi më të mëdha.

Të qenurit anëtar i këshillit është mision, për të përmirësuar se brendshme bashkësinë tuaj”, tha Llagani.

Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve do të zgjedhë ditën e sotme (9 tetor) tre përfaqësues të rinj në Këshillin e Lartë Gjyqësor, për shkak të mbarimit të afatit të anëtarëve aktualë.

Përfaqësuesit e rinj do të zëvendësojnë Brikena Ukperajn nga Gjykata e Apelit dhe Dritan Hallunaj e Marçela Shehu nga Shkalla e Parë, të cilëve u përfundon mandati.