AKTUALITET, 20 Prill 2022, 11:32

Lihen në burg i riu që shkoi me 2 mijë dollarë false në “Exchange” dhe dy shokët e tij

Lihen në burg i riu që shkoi me 2 mijë dollarë false në

Tre të rinjtë, Viard Kotori 29 vjeç, Etmond Dokushi, 32 vjeç, dhe Ervin Kamolli, 32 vjeç, të akuzuar për falsifikim monedhash do të qëndrojnë në qeli.

Gjykata e Tiranës vendosi masën arrest me burg për tre të rinjtë.

Ata u arrestuan 18 prill 2022, ku i dyshuari Viard Kotori tentoi të këmbente në një ‘Exchange’ 2 mijë dollarë të falsifikuar.

Ka qenë punonjësja e këtij ‘Exchange’ që zbuloi falsifikimin dhe lajmëroi policinë, ku më pas u vunë në pranga tre persona.

“Gjeta 8 mijë dollarë në rrugë, të tjerat i dogja! Se dija që nuk ishin të vërteta”- ka dëshmuar para gjykatës Kotori.

Ditën e hënë, një punonjëse shkëmbimi valute në një dyqan ka mundur të pikasë një të ri me para false.

Pas përplasjes së saj me të, Policia është vënë në ndjekje të tij duke e sjellë në pranga.

Përveç tij janë arrestuar edhe 2 shokë të tij. Sipas të dhënave të Policisë bëhet me dije se një i ri me rreth 2000 dollarë false mendoi se do “t’ia hidhte” punonjëses së ‘exchange’ në Tiranë, por plani nuk i shkoi siç e kishte menduar.

I veshur me një xhup të zi, ai është futur me qetësi në ‘exchange’, madje edhe duke u përpjekur që të krijojë afrimitet me punonjëse, por kjo e fundit e kuptoi se diçka nuk po shkonte sapo preku dollarët.

I riu e kuptoi që u zbulua nga shikimi i dyshimtë që punonjësja i dha, teksa patën edhe një debat mes njëri-tjetrit.

E gjitha duket qartë nga pamjet që ka në duar Policia ku i riu thotë se i “ka marrë dollarët nga banka”, por më pas tërhiqet pas kërcënimit që shitësja i bën se do të njoftojë policinë.

ARRESTIMI

I riu është larguar, por që më vonë është arrestuar nga Policia, e bashkë më të edhe dy të tjerë. Mësohet se në pranga ka rënë Viard Kotori, 29 vjeç, banues në Tiranë, Etmond Dokushi, 32 vjeç, banues në Kavajë, dhe Ervin Kamolli, 32 vjeç, banues në Rrogozhinë.

Mësohet se treshja e të rinjve, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë hedhur në qarkullim nëpër biznese në Tiranë, por edhe qytete të tjera kartëmonedha të prerjes 50 dollarë.

Arrestimi i tyre u bë pas një hetimi disajavor, ndërsa ndaj tyre rëndon akuza për veprën penale “Falsifikimi i monedhave”, kryer në bashkëpunim.

Në total janë sekuestruar 3650 dollarë, që nëse nuk do ishin kapur, do të ishin gati për t’u hedhur në treg, si edhe një makinë.

DIALOGU MES PUNONJËSES DHE TË RIUT

I riu: Si kalove… po flisje, po haje bukë?

(Punonjësja shikon lekët)

I riu: Çfarë ka?

Punonjësja: Ku shkon me këto?

I riu: Urdhëro, si ku shkoj?

Punonjësja: Se janë false të gjitha?

I riu: Je mirë?

Punonjësja: T’i sjell false dhe thua a jam mirë unë, apo të telefonojë Policinë dhe të shohim kush është mirë ti apo unë?

I riu: Janë marrë nga banka?

Punonjësja: Janë marrë nga banka?

I riu: A ka mundësi që të m’i japësh lekët mbrapsht?

Punonjësja: Pse i sjell në këtë zyrë false? (I numëron, i dalin rreth 2000 dollarë).