AKTUALITET, 20 Prill 2022, 09:52

Meta në meshën e shenjtë të Javës së Madhe të Pashkës në Katedralen e Civita: Të dyfishojmë përpjekjet që trashëgimia kulturore Arbëreshe të jetë në UNESCO

Meta në meshën e shenjtë të Javës së Madhe

Presidenti Ilir Meta, gjatë vizitës së tij zyrtare në Kalabri, u prit edhe nga Ipeshkvi i Eparkisë së Ungrës, Hirësia e Tij Donato Oliverio në Katedralen e Civita.

Meta mori pjesë në meshën e shenjtë të Javës së Madhe të Pashkës.

Kreu i shtetit në një postim në rrjetet sociale thotë se shprehu “mirënjohje të thellë për veprimtarinë e çmuar të Hirësi Oliverio në mbështetje të bashkësisë Arbëreshe në Itali, në veçanti për përpjekjet e Tij të pareshtura në ruajtjen dhe përcjelljen e riteve fetare dhe të traditave kishtare në gjuhën e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

Postimi i Presidentit Ilir Meta:

Një pritje e ngrohtë nga Ipeshkvi i Eparkisë së Ungrës, Hirësia e Tij Donato Oliverio në Katedralen e Civita, ku pata gjithashtu kënaqësinë e veçantë të merrja pjesë në meshën e shenjtë të Javës së Madhe të Pashkës.

Mirënjohje të thellë për veprimtarinë e çmuar të Hirësi Oliverio në mbështetje të bashkësisë Arbëreshe në Itali, në veçanti për përpjekjet e Tij të pareshtura në ruajtjen dhe përcjelljen e riteve fetare dhe të traditave kishtare në gjuhën e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Të dyfishojmë përpjekjet tona që trashëgimia kulturore Arbëreshe, “Moti i Madh”, të jetë pjesë e UNESCO-s, sepse është një pasuri unike jo vetëm për Shqipërinë dhe Italinë, por edhe për Europën dhe botën.