AKTUALITET, 26 Shtator 2025, 12:55

Lidhjet me Isain/ Administratorja e kompanisë që ‘dhuroi’ projektin për rrugën Korçë- Ersekë falsifikoi aktin në emër të Komisionit të Bashkisë!

Lidhjet me Isain/ Administratorja e kompanisë që ‘dhuroi’

Media ka siguruar dosjen e SPAK për kryebashkiakun e Kolonjës, Erion Isa dhe 6 zyrtarët e tjerë të Bashkisë, të cilët janë marrë të pandehur për akuzat e shkeljes së barazisë në tenderë, shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh.Në total, janë 4 procedura prokurimi që u hetuan nga SPAK, Ndërtimi i rrugës Korçë-Ersekë, loti 1  parë dhe i dytë, ndërtimi i Ujësjellësit Ersekë dhe disa fshatrave, si edhe prokurimi për mbikëqyrjen e punimeve për ndërtimin e Ujësjellësit të Ersekës, informon Report TV.

Mes të pandehurve është edhe firma projektuese e rrugës A&E ENGINEERING, në pronësi të Entela Çano, e cila sipas detajeve nga dosja e SPAK dyshohet se kishte lidhje me Isain. E njëjta kompania që projektoi (A & E Engineering) ishte edhe ajo që mbikëqyri punimet, duke krijuar konflikt interesi.

4 Procedurat e Prokurimit të hetuara nga SPAK:
1.Procedura e prokurimit për projektin me objekt: Ndërtimi i rrugës Korçë-Ersekë, Loti 2 (Pjesa e parë)
2. Procedura e prokurimit me objekt “Supervizim punimesh për ndërtimin e rrugës KorçëErsekë, loti i 2
3.Procedura e prokurimit me objekt “Ndërtim i Ujësjellësit Ersekë dhe të disa fshatrave Faza e dytë nga burimet e Kozelit”
4.Procedura e prokurimit me objekt "Loti Nr.2 Mbikëqyrje Punimesh Ndërtim i Ujësjellësit Ersekë dhe të disa fshatrave Faza e dytë nga burimet e Kozelit".
Rruga Korçë-Ersekë, loti 2

Në dosje thuhet se Autoriteti Rrugor Shqiptar (atëherë DPRR, sot ARRSH) kishte hartuar një projekt për ndërtimin e rrugës Korçë-Ersekë, Loti II. Projekti parashikonte ndryshime të konsiderueshme, me rreth 30% të gjatësisë në gjurmë të re dhe 70% në gjurmën ekzistuese. Në dosje thuhet se ky projekt kalonte në zona të banuara dhe sillte dëmtime të mëdha nga ana mjedisore, urbane dhe rrëshqitje në fshatrat Mollas, Qinam, Selenicë. Parashikoheshin 5 ura të mëdha dhe vepra të tjera të artit (tombino, mure mbajtëse, pritëse, etj).

Por, Bashkia Kolonjë nisi më vonë një procedurë të re për hartimin e një projekt-propozimi për të njëjtën rrugë (Loti II), me argumentin se nuk kishte staf teknik apo burime financiare për hartimin e një projekti të përmasave të tilla. Procedura u zhvillua në formën e dhurimit/donacionit për shërbim projektimi dhe nga 3 kompania të cilave Bashkia Kolonjë u kërkoi shërbim, vetëm kompania A & E Engineering dha përgjigje pozitive.

Pas kësaj, më 03.04.2020, Bashkia Kolonjë lidhi kontratën e sponsorizimit/shërbim projektimi nr.1 me kompaninë A & E Engineering, në pronësi të Entela Çanos, për objektin “Studim projektim rruga Korçë – Ersekë, Loti 2”. Kontrata u nënshkrua nga kryebashkiaku Erion Isai, ndërsa për kompaninë firmosi administratorja Entela Çano.

Më 01.06.2020, kompania A & E Engineering dorëzoi pranë Bashkisë projekt-zbatimin, i cili u mor në dorëzim përmes një komisioni të ngritur me urdhër të Isait. Komisioni përbëhej nga Muharrem Tartari (kryetar), Erjon Cenko dhe Engjëll Dine. Në procesverbalin e hartuar për marrjen në dorëzim, rezulton se në emër të komisionit dokumenti u nënshkrua nga vetë administratorja e A & E Engineering, Entela Çano, dhe u miratua nga kryebashkiaku Isai. Në dosje thuhet se përmes ekspertimit grafik me urdhër të SPAK, rezultoi se firma e Muharrem Tartarit ishte falsifikuar, pra ai nuk kishte marrë pjesë në marrjen në dorëzim të projektit, ndonëse në dokument ishte paraqitur si i pranishëm.

Hetimet zbuluan se falsifikimi ishte kryer nga anëtarët e komisionit Erjon Cenko dhe Engjëll Dine, në bashkëpunim me administratoren e kompanisë Entela Çano, të cilët kishin sajuar procesverbalin duke përfshirë në mënyrë fiktive firmën e Tartarit. Për këtë episod i është njoftuar akuza të pandehurit Engjëll Dina për veprën penale "Falsifikimi i dokumenteve”.

"Nga aktet e administruara rezulton se anëtarët e komisionit të marrjes në dorëzim të projekt zbatimit të projektit, shtetasit Erjon Cenko dhe Engjëll Dine, në bashkëpunim me shtetasen Entela Çano, kanë falsifikuar procesverbalin e marrjes në dorëzim të projektit, me objekt: "Ndërtimi i rrugës Korçë-Ersekë, loti i 2”, datë 01.06.2020, duke përshkruar rrethana të rreme në përmbajtje për personat pjesëmarrës në këtë veprim, duke e paraqitur si të pranishëm edhe kryetarin e komisionit të marrjes në dorëzim të projekt zbatimit, shtetasin Muharrem Tartari, por që në të vërtetë rezulton se nuk ka marrë pjesë shtetasi Muharrem Tartari, się provohet nga deklarimi i tij dhe nga akti i ekspertimit grafik të shkrimit dhe nënshkrimit në këtë procesverbal në emër të tij, që rezulton të jetë i falsifikuar", thuhet nw dosje. 
Ndërkohë, më 12.06.2020, projekti i rrugës iu përcoll për miratim Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) nga nënkryetarja e Bashkisë, Elona Mydini. A & E ENGINEERING, rezulton mbikëqyrëse  e shumë punimeve të mëdha të kryera pothuajse gjithmonë nga të njëjta firma ndërtuese. Në dosje ka edhe biseda mes Çanos dhe Isait që janë zbuluar nga zbërthimi i celularëve.