TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, është shprehur se largimi i Albana Ficos nga posti i drejtoreshës së QSUT dhe zëvendësimi i saj me Alma Canin, nuk ka të bëjë me zjarrin në Urgjencën e këtij institucioni, e ndodhur pak kohë më parë. Përmes një deklarate për mediat, Koçiu e cilësoi zëvendësimin e Ficos si një lëvizje për të pasur impulse të reja drejt projekteve që e presin QSUT-në.
Ajo tha gjithashtu se nuk është ndalur për asnjë moment puna për shërbimin ndaj qytetarëve. “Lirimi i Albana Ficos nga detyra nuk ka lidhje me urgjencën. Sjellim energji të reja për projektet në vazhdim. Drejtoresha e re e QSUT në rend të parë do të ketë vënien në funksion të plotë të Urgjencës së sëmundjeve të brendshme. Zëvendësimi u bë për t’i dhënë një impuls më të madh QSUT, për të shtuar ritmin.
Ne sot jemi në QSUT dhe duhet të flasim për punët e mira që do të vijojnë të bëhen këtu dhe një ritëm të shtuar sa i përket shërbimit ndaj qytetarëve. Drejtoresha e re ka një profesion të nderuar dhe ka vite që ushtron profesionin në qendrën rajonale spitalore “Shefqet Ndroqi”, tashmë do t’i bashkohet ekipit të QSUT. Nuk është ndalur në asnjë moment puna për shërbimin e qytetarëve. Kjo do të thotë që puna do të vazhdojë, punët e mira do të vijojnë. Jemi duke punuar intensivisht, por nuk është ndalur në asnjë moment shërbimi i qytetarëve dhe kemi shërbime që ofrohen edhe në qendrën spitalore Shefqet Ndroqi. Puna po vijon normalisht”, tha Koçiu.