AKTUALITET, 10 Qershor 2025, 11:44

"Lamtumirë Bujar"/ Ndarja nga jeta e Bukoshit, Majko: Një politikan i dorës së parë që nuk imitoi askënd

"Lamtumirë Bujar"/ Ndarja nga jeta e Bukoshit, Majko: Një

Ish-kryeministri i Kosovës, Bujar Bukoshi ka ndërruar jetë në moshën 78 vjeçare.

Në lidhje me këtë ngjarje të trishtë ka reaguar Pandeli Majko, i cili e quan Bukoshin si një njeri që tejkaloi veten.

Ndër të tjera në postimin e tij në rrjetet sociale, Majko shprehet se, Bukoshi ishte një politikan i dorës së parë që nuk imitoi askënd.

Ai thekson se ish-kryeministri, Bukoshi ishte një zgjedhje e mençur e Ibrahim Rugovës në rrugën e vështirë që Kosova kishte përpara në atë kohë.

“Sot, Kosova ka humbur një protagonist të historisë së saj”, thotë ndër të tjera Majko.

Postimi i Pandeli Majkos:

Bujar Bukoshi ka ndruar jetë! Kryeministri i parë i Republikës së Kosovës ka qenë një njeri që tejkaloi veten!

Vdekja për cilindo është ajo që ndodh në fund! Për Bujarin, është stacioni i fundit për të kuptuar si bëhet njeriu ai që është!

Bujar Bukoshi ishte një zgjedhje e mençur e Ibrahim Rugovës në rrugën e vështirë që Kosova kishte përpara! Edhe për këtë arsye Bujari u bë kryeministri Bukoshi i cili pati një jetë të paprecedentë për të parë të gjitha të vertetat që një individ mund të duroj!

Bujar Bukoshi ishte kryeministër i një shteti që nuk ekzistonte duke qenë një “lajmës” i çuditshëm për atë që po vinte për Kosovën!

E shkuara është peshë! Nuk mund të “notosh” po nuk e mbajte mbi shpinë!

Në kohët kur duket se na përkufizojnë gënjeshtrat dhe sekretet, Bujar Bukoshi është ndër të vërtetat që ka prodhuar historia e Kosovës!

Kopja tingëllon si një melodi e kënduar nga një fëmijë, e kompozuar nga dikush tjetër! Sot, Kosova ka humbur një politikan të dorës së parë i cili nuk imitoi askënd!

Për Bujar Bukoshin, meritat vlejnë më shume se dobësitë e tij! Ai kishte bërë paqe me veten dhe të kaluarën!

Sot, Kosova ka humbur një protagonist të historisë së saj! Lamtumirë Bujar!