AKTUALITET, 17 Prill 2023, 21:05

“Kush nuk vjedh në këtë vend, quhet edhe budalla!”/ Igli Cara tregon pse kandidon për Bashkinë e Durrësit

“Kush nuk vjedh në këtë vend, quhet edhe budalla!”/

Igli Cara, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, për bashkinë e Durrësit tha në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” se zona ku kandidon është rast unikal sepse opozita është e gjitha bashkë. Ai deklaroi se shpreson që qytetarët e Durrësit ta vlerësojnë për atë që është, si një njeri që nuk është lakuar në afera korruptive.

Biseda në studio

Igli Cara: Kam lindur dhe jam rritur në Durrës. E njoh mirë Durrësin në çdo rrugicë, në çdo qelizë. Kam bërë karrierën time politike pas viteve ‘90. Kam qenë student i Dhjetorit. Kam bërë një karrierë prej kaq vitesh. Kam patur poste të larta në PD, si kryetar i partisë në Durrës dhe deputet.

Jam munduar të jem korrekt me çfarë kam bërë në jetën time. Ndoshta kjo është një nga arsyet, që miqtë dhe shokët, strukturat e PD më kanë mbështetur për të qenë kandidat.

Kam vendosur pasi jam menduar gjatë, ishte vendim i marrë në moment të vështirë, kur situata politike te e djathta ishte e trazuar.

Është rast unikal që Durrësi ka treguar që opozita është e gjitha bashkë.

Qëllimi është vetëm një: Të bëjmë ndryshimin në Durrës dhe bashkia t’u kthehet qytetarëve.

Ylli Rakipi: Këtu në këtë vend, kush nuk vjedh konsiderohet budalla.

Igli Cara: Unë e kam menduar ndryshe. Më ka ndodhur edhe në takime elektorale, më thanë si do të fitosh se ata blejnë dhe janë të pasur. I thashë është zgjedhja juaj, unë kam ofertën time. Nëse zgjidhni hajdutët, vazhdoni. Shpresoj që qytetarët e Durrësit të më vlerësojnë për atë që jam.