TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Shqipëria është pararendëse e procesit të zgjerimit, tha raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder. Në Konferencën Ndërparlamentare, ai shprehu dëshirën për të dhënë kontributin e tij në zgjerimin e Bashkimin Europian.
“Zgjerimi i BE-së nuk është vetëm projekt i së ardhmes, është diçka që e meriton gjithë kontinenti dhe ajo që ëndërronim në 1989 dhe dua të jap edhe unë kontributin tim për të finalizuar këtë moment historik. Mbase ka shkuar pak gjatë, por ka një mundësi më të mirë. Shqipëria është pararendësja e procesit të zgjerimit dhe për mua është funksion i PE që t’i shohë të gjitha hollësitë nga një pikëpamje e politikave parlamentare të BE-së”, tha Schieder.
Ndërsa përmblodhi arritjet e Shqipërisë gjatë negociatave, Schieder tha se reformat duhet të reflektojnë ndryshimin në shoqëri. Besimplotë tha se vendi mund të mbyllë ende disa kapituj dhe të realizojë ambicien e anëtarësimit brenda 2030.
“Pas gjithë këtyre negociatave, kanë dalë shumë hollësi, por tani ndodhemi në fazën e fundit të garës. Ka ende disa kapituj që duhen mbyllur, Shqipëria ka qenë mjaft veprore. S’është vetëm hapja e kapitujve, duhet edhe mbyllja. Pastaj vjen ndikimi që ka zbatimi i këtyre kapitujve dhe këto reforma të ndihen në shoqëri. Shqipëria mundet të mbyllë edhe disa kapituj, e meriton të jetë anëtare e re brenda kësaj dekade”, tha raportuesi.
Ai pranoi se procesi i zgjerimit ka zgjatur, por theksoi se kjo duhet të shërbejë si shtysë për përfundimin e tij.
“Ka shkuar pak gjatë, por kur gjërat shkojnë gjatë, kjo shërben si arsye më e mirë për t’i përfunduar gjërat”, tha Schieder.
Duke folur për mbështetjen e qytetarëve shqiptarë për integrimin europian, Schieder tha se rreth 95% e popullsisë është pro anëtarësimit në BE.
“Këtu në Shqipëri kemi 95% të popullatës që është pro BE-së. Të gjithë e shohin përparimin e Shqipërisë. Patjetër që duhet t’i shohim të gjitha çështjet”, u shpreh ai.
Schieder renditi disa prej fushave ku Shqipëria duhet të vijojë punën, duke përmendur shtetin e së drejtës dhe procesin e vettingut, reformat ekonomike e mjedisore, si dhe zbatimin e standardeve europiane në jetën e përditshme.
“Shteti i së drejtës, ku Shqipëria 10 vite më parë ndërmori një proces shumë të rëndësishëm, të vettingut. Reformat ekonomike, reformat mjedisore, por edhe zbatimi i standardeve mjekësore europiane në standardet e përditshme shqiptare”, tha ai.
Raportuesi europian vuri në dukje gjithashtu sigurinë dhe politikën e jashtme, duke theksuar se Shqipëria është në përputhje me Bashkimin Europian në këto fusha.
“Patjetër, siguria dhe politika e jashtme, ku Shqipëria është në përputhje me BE-në”, deklaroi Schieder.
Sipas tij, sfida nuk lidhet vetëm me hapjen e kapitujve të negociatave, por me përmbushjen e kushteve për mbylljen e tyre.
“Çështja nuk është të hapen vetëm kapitujt, ata kapituj duhen mbyllur. Tani jemi në fazën e fundit”, u shpreh ai.
Në përfundim, Schieder deklaroi se Shqipëria duhet të synojë anëtarësimin në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade.
“Shqipëria meriton të jetë anëtare e BE-së para fundit të kësaj dekade”, përfundoi raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian.