AKTUALITET, 17 Prill 2023, 18:50

"E keni zgjedhur vetë", Berisha prezanton kandidatin në Gramsh: Rama shkatërroi bujqësinë, asnjë investim për rrugë në fshatra

"E keni zgjedhur vetë", Berisha prezanton kandidatin në

Kreu i PD-së Sali Berisha ka prezantuar kandidatin e koalicionit "Bashkë fitojmë" në Gramsh Hasim Çekrezin.

Berisha tha se Çekrezi është një nga personalitetet më të shquara të Gramshit, një nga qytetarët më shembullorë, një nga bijtë që don më shumë Gramshin dhe qytetarët e tij. 

"Një njeri që përfaqëson vlerat më të arrira tuaja dhe mbarë qytetarëve të Gramshit. Por unë vij sot, me krenari të veçantë sepse paraqes para jush, njeriun që ju keni zgjedhur, kandidatin tuaj, kandidatin e votës tuaj të lirë, e ujdisë tuaj të brendshme, e marrëveshjes tuaja me votën, me lirinë", tha Berisha.

Ai theksoi se Çekrezi do të bëjë gjithçka t'u japë përgjigjen më të mirë, problematikave të shumta me të cilat përballet Gramshi.

"Pse ndjej unë dhimbje të madhe? Sepse nga një anë, këtu ndodhën ndryshime epokale. U bëtë me liqej, u ndërtua kaskada, u nis një transformim i infrastrukturës tuaj, por nga ana tjetër unë u them një gjë tjetër. Kudo ne e kemi vend të bekuar, por nuk ka bekim më të madh nga Zoti dhe natyra sesa të kesh ujërat që ka Gramshi. Uji është pasuria e të gjithë pasurive të tjera. Dhe në këtë aspekt, Gramshit nuk i afrohet asnjë rreth tjetër. Por sa përfiton Gramshi nga këto pasuri, përrallore janë në çdo aspekt. As fshatrat buzë liqenit nuk sigurojnë vaditjen. Çfarë pasurie është kjo atëherë? A është një bekim apo një mallkim për qytetarin. Do të vijmë tek rruga. Pra, çfarë përfitoi Gramshi nga ndërtimi i hidrocentralit. Pas përfundimit të punimeve, asnjë qindarkë sepse e zhduku rentën. Në vend që t'u linte ju, e kudo autoriteteve lokale, rentën për minierat, ujërat e të gjitha, aktin e parë, një nga aktet më pa moralë, hoqi rentën për të ngrohur xhepin vetes dhe oligarkëve të tij", tha Berisha.

Ai u ndal te mungesa e rrugëve, duke theksuar se një fshat që nuk ka rrugë, po të mos kishte edhe elektricitet mund të jetë edhe 300 vite mbrapa.

"Edhe 300 vite më parë, edhe 500 vite më parë, rrugë ka patur, por kanë qenë rrugë qerresh. Shkoni e shihni rrugët e Kotkës, rrugë të tjera me radhë, rrugët e fshatrave janë absolutisht rrugë të nivelit mesjetar, baltë dhe vetëm baltë. Sa kanë asfaltuar gjatë këtyre 10 viteve, çfarë kanë bërë. Zero dhe nuk kanë as mirëmbajtur ato që janë asfaltuar më parë", tha ai.

Sipas Berishës, kandidatët e PS flasin vetëm për kryetarin, sukseset dhe qytetarët për ta nuk ekzistojnë.

"U ngrit një deputet i tyre dhe shtroi diçka për fermerët, desh e hëngrën me lecka të gjallë. Nuk ekzistojnë qytetarët për ta. Pa le më rrugët, shkollat, prodhimet, asgjë. Më thoni ju. Dje po lexoja 160 lekë kilogrami i qepëve. Po pse, sepse vijnë nga Kina. E shkatërroi ky bujqësinë, i shkatërroi fermerët, se hapi Ballkanin e Hapur dhe vërshojnë nga të 4 anët. Ju garantoj unë ju, se ka fshatra në Devoll të cilët nëse do të kishin tregun të sigurtë, prodhonin qepë jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Kosovën dhe Maqedoninë, se janë prodhues të hatashëm të qepës", tha ai.

Berisha deklaroi se Rama ka marrë lopatën se gjoja po mbjellin pemë, por sipas tij duan të fshehin vjedhjen e tmerrshme me 1 milion pemët në Tiranë

"Çfarë po ndodh tani? E keni vënë re ju, ka kapur lopatën tani dhe kalojnë nga rrethi në rreth me lopatë në dorë se gjoja po mbjellin pemë. Prisni, me dheun e asaj lopate ai në radhë të parë do të ju hedhë hi syve qytetarëve, se nuk është i zoti të ballafaqohet në asnjë rast me asnjë kandidat tonë në asnjë bashki. Sille atë, sille këtu. Të ju pyes një gjë. A duhet që të përballemi në televizor njëri me tjetrin dhe të ua themi të vërtetat njëri-tjetrit para jush. Këta se pranojnë, nuk ka kandidat të tyre. Këta janë si hije, nuk dalin në asnjë ekran televiziv. Dhe pastaj merr lopatën dhe mendon se do të ju mashtrojë me lopatën. Merr lopatën dhe do të mbjellë gjithsej, 3600 pemë. Po ku e kanë hallin, e kanë hallin tek pylli 1 milion, që bashkë me Erion Veliajn pretendojnë se kanë mbjellë 1 mln pemë në Tiranë. Kanë blerë pishën 5600 euro. Po, me fatura. Atëherë ky meqë ka dalë gjithë ky skandal, merr lopatën dhe kujton se po mashtron. Ndaj dhe ne duhet të ballafaqojmë gjërat, duhet të ballafaqojmë të vërtetat. Me datën 14 maj, ju sigurosht që do të votoni 1-shin, koalicionin, do të votoni 1-shin, Hasim Çekrezin. Por të jeni të sigurtë se keni votuar në një votim historik. Keni votuar për fatin e Shqipërisë, për fatin e familjes shqiptare. Keni votuar për fatin e qytetarëve të Gramshit dhe Shqipërisë", deklaroi Berisha.