AKTUALITET, 9 Gusht 2023, 14:38

Kush e kultivoi drogën në repartin e Zall-Herrit? Dokumenti që ‘fundosi’ 3 ushtarakët e arrestuar

Kush e kultivoi drogën në repartin e Zall-Herrit? Dokumenti që

Ngelet ende mister fakti se kush janë kultivuesit e kanabisit në parcelën e zbuluar në repartin ushtarak të Zall-Herrit, ndërkohë që pas hekurave ndodhen 3 ushtarakë. Në rrëfimet e tyre, tre ushtarakët e arrestuar insistojnë se e kishin të pamundur të kontrollonin zonën e pyllëzuar që është e shtrirë mes dy fshatrave të Kamzës dhe Zall Herrit.

Ndërkohë, mësohet se tre ushtarakët e arrestuar, Gramoz Mullai, Rustem Koci dhe Gentian Zhurda, kanë firmosur një dokument në periudhën qershor-korrik, ku ata konfirmojnë si inspektorë se nuk kishte bimë të kultivuara në brendësi të repartit.

Burime nga grupi hetimor thonë se në vendin ku ishte kultivuar kanabisi janë gjetur si prova një bidon plastik dhe prova të tjera që janë dërguar për ekzaminime të mëtejshme, ku mund të gjenden shenja e gishtërinjve, provë e rëndësishme për të zbuluar autorët e kultivimit të kanabisit. Ky është rasti i pari që në një bazë ushtarake gjendet drogë e kultivuar, duke u shndërruar në një skandal.