AKTUALITET, 14 Shkurt 2022, 09:15

Kundërshtojnë shembjen e banesave, sot do të mbahet protesta e radhës në Paskuqan

Kundërshtojnë shembjen e banesave, sot do të mbahet protesta e

Banorët e Paskuqanit, “5 majit” dhe disa zonave të tjera në Tiranë do të organizojnë sot protestën e radhës kundër shembjes së banesave të tyre sot në orën 17:00 në Paskuqan.

Protesta e fundit u mbajt ditën e shtunë në “5 maj”, ku protestuesit bllokuan për një orë kalimin e makinave në rrugën drejt Medresesë.

Qytetarët u ulën në mes të rrugës në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të qeverisë dhe bashkisë së Tiranës për të shembur një numër të madh banesash në kuadër të realizimit të projektit të Unazës së Madhe”.

Çfarë ka ndodhur?

Protestat e banorëve kanë nisur prej disa muajsh, por më 19 janar të këtij viti, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ndërmori aksionin për prishjen e banesave në zonën e 5 majit në Tiranë duke i hapur rrugën procesit të rindërtimit.

Asnjë prej tyre nuk ka dalë kundër projekteve, por kërkojnë shpronësimin sipas rregullave, duke marrë parasysh se një pjesë e tyre kanë certifikatë pronësie, ndërsa pjesa tjetër janë në proces legalizimi në pritje të marrjes se statusit të plotë të pronësisë.

Në Laprakë, për shkak të lotit të Unazës do të preken 700 shtëpi banimi, ndërsa tek “5 maji”, 430 të tilla.