AKTUALITET, 4 Tetor 2025, 17:38

Kundërshtojnë prishjen e bizneseve, banorët e 4 fshatrave në Vlorë: Do të mbrojmë pronat tona, duan t’ia japin oligarkëve

Kundërshtojnë prishjen e bizneseve, banorët e 4 fshatrave në

Banorët e fshatrave Tragjas, Orikum, Dukat dhe Radhimë në Vlorë janë ngritur kundër aksioneve të IKMT-së, të cilat, sipas tyre, synojnë prishjen e bizneseve vendase për t’u hapur rrugë projekteve turistike që favorizojnë oligarkë të lidhur me qeverinë.

Ata u mbledhën në një takim të përbashkët, të cilin e quajtën “Kuvendi Komunitar i Krahinës”, me qëllim kundërshtimin e prishjeve të bizneseve të tyre nga ana e IKMT-së.

Sipas organizatorëve, pas këtij aksioni qëndron një plan i qeverisë për t’i kaluar pronat e banorëve në duart e disa oligarkëve, përmes projekteve turistike.

“IKMT-në do ta thyejmë. Nëse duhet, edhe me përplasje fizike! Ky është vetëm fillimi,” – deklaroi organizatori i takimit, Edvioll Kulluri, ndërsa ftoi banorët të bashkohen në peticione dhe kallëzime penale, por edhe në rezistencë aktive.

Sipas banorëve, prishjet e paralajmëruara nuk kanë lidhje me ndërtimet pa leje, por me plane për t’u marrë tokat banorëve dhe për t’ua kaluar individëve me ndikim për ndërtimin e resorteve turistike.

Ata thanë se një grup i IKMT-së ka dhënë një afat verbal për largimin e bizneseve nga zona e Orikumit dhe Llogarasë deri në fund të tetorit, duke e quajtur këtë një veprim të paligjshëm dhe të pakoordinuar.