AKTUALITET, 30 Prill 2023, 13:42

Kryebashkiaku i PS në Tropojë me 18 vartës, piknik 3 ditor në Zvicër: Shkojmë për studim shkencor

Kryebashkiaku i PS në Tropojë me 18 vartës, piknik 3 ditor
Dokumenti i tenderit të bashkisë dhe kryebashkiaku Byberi

Kryeministri Rama deklaroi në hapje të fushatës së PS-së se ajo do të jetë pa shpenzime, dhe me mbjellje pemësh. Por kryetari i bashkisë së Tropojës dhe vartësit e tij kanë vendosur të bëjnë edhe një piknik kolektiv jashtë Shqipërisë, me shpenzimet e bashkisë.

Sipas dokumentit zyrtar pikniku do të fillojë në 5 maj dhe do të përfundojë në 8 maj kur charter-i do t'i sjellë në aeroportin e Kukësit.

Për këtë piknik kryetari i bashkisë së Tropojës, njëherësh edhe kandidat i PS-së në zgjedhjet e 14 majit, Rexhë Byberi ka shpallur tender në 26 prill 2023.

Tenderi u bë me urgjencë në 27 prill dhe në të janë porositur 18 bileta avioni për në Bazel të Zvicrës me akomodim në hotel, dy vakte ushqim dhe shërbime të tjera transporti, taksi, vizita dhe argëtime.

Nisja e shefave të bashkisë së Tropojës do të bëhet në 5 maj 2023, ndërsa kthimi në 8 maj ose 6 ditë para zgjedhjeve. Në motivin e udhëtimit të qëndrimit 4 ditor në Bazel të Zvicrës, thuhet se shefat e bashkisë do të shkojnë për çështjen e studimit shkencor, temën e të cilit nuk e kanë treguar.