TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Lufta Ukrainë-Rusi zbehu nevojën e një bilanci dyvjeçar për pandeminë e cila ende konsiderohet një rrezik nga Organizata Botërore e Shëndetit.
Për Zak Topuzin, nga Shoqata Shqiptare e Hotelierëve, turizmi në këto dy vite kaloi një periudhë të vështirë, jo vetëm nga COVID-19, por edhe nga masat kufizuese që nuk ishin koherente.
Tashmë e materializuar është kriza e rritjes së çmimeve që, sipas tij, do të japë ndikim te shtrenjtimi i produkteve dhe rritja e pagave, ndërkohë që me shumë mundësi do të ndryshojë mentalitetin e biznesit.
Z. Topuzi shprehet se biznesi duhet të bëhet më i përgjegjshëm dhe të ketë më shumë rendiment, ose është i destinuar të falimentojë. Më i predispozuar për këtë ndryshim, ndoshta do të jetë biznesi i vogël.
Tashmë jemi dy vite me pandeminë e COVID-19 dhe një nga sektorët e goditur më shumë është turizmi. Ku jemi sot, dy vite më pas me këtë sektor, sa i takon mënyrës sesi është strukturuar grupi i turistëve, si ka rezistuar sektori në kushtet e reja?
Industria e Turizmit dhe Udhëtimit ishte më e goditura në këtë pandemi dyvjeçare. Sot që flasim vazhdon të mbetet e penalizuar, si rezultat i kufizimeve që vazhdojnë të qëndrojnë në fuqi, si mbyllja e muzikës pas orës 23:00, kufizimi i numrit të klientëve për shkak të distancimit social dhe masave të Protokollit COVID-19 që vazhdojnë të kërkohen vetëm në ambientet e shërbimeve si bare e restorante.
Viti 2021 u mbyll me 11% më pak turistë se viti 2019 (si viti më i mirë në dhjetë vitet e fundit) duke kaluar pritshmërinë. Ka qenë një vit ku rreth 65% e turistëve kaluan në tre muajt e verës, duke shfrytëzuar më shumë turizmin e rërës dhe detit.
Kjo shpërndarje solli më pak hapësira për hotelet e qyteteve, të cilët vuajtën mungesën e turistëve, duke shtuar më shumë sezonalitetin. Pandemia solli dy dukuri të reja dhe Shqipëria mundi t’i rezistojë krizës pasi:
-Kontingjenti kryesor i turistëve që qarkulluan ishte ai rajonal, me 62% të numrit (e kryesuar nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali Zi).
-Gati 80% e turistëve hynë me rrugë tokësore, si e vetmja mënyrë e rekomanduar nga ekspertët për të qenë të mbrojtur nga infektimet. Rrugët ajrore apo detare, qëndruan për një kohë të gjatë pothuaj të bllokuara dhe kur filloi lëvizja, masat e zbatuara në pikat e kalimit ishin stresuese për një pushues.
Sa është ndihmuar nga politikat mbështetëse turizmi në këto dy vite dhe çfarë mund të ishte bërë më mirë?
Industria Turistike dhe ajo e Udhëtimit pothuaj nuk u mbështet nga politikat mbrojtëse të qeverisë shqiptare, ndryshe nga vendet e rajonit që ndërmorën një sërë ndërhyrjesh, për ta shpëtuar këtë industri.
Qeveria ndërmori shumë pak masa konkrete për shpëtimi. Një pagë 40.000 lekë për punonjësit që u larguan dhe mbetën të papunë për arsye të kufizimit të lëvizjes dhe mbylljes të të gjithë aktiviteteve të vendit, shtyrjen e pagesës së tatimfitimit për një vit dhe “Kredi Sovrane”, e cila nuk mundi të shfrytëzohet, nga industria pasi ishte me interesa më të mëdha se vetë kreditë ekzistuese.
Nuk mund të marrësh një kredi me interes të lartë për të shlyer një kredi ekzistuese. Bankat e nivelit të dytë e morën si “rekomandim” nga Banka Shqipërisë urdhrin për të shtyrë afatin e kredive, duke ju lënë në dorë vendimmarrjen për kushtet.
Në rajon, masat ishin jashtëzakonisht ndihmuese si: përballimi i interesave të kredive nga shteti deri në fund të pandemisë, grante dhe subvencione të menjëhershme të shtrira në kohë dhe të lidhura me numrin e punonjësve dhe rënies së të ardhurave, kredi me interes 2% për likuiditet, paga e sigurime për punonjësit deri në 80% me kusht mbajtjen në punë, etj.
Tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe më pas pandemia e së fundmi konflikti në Ukrainë janë ngjarje që, dashur pa dashur, kanë efektet e tyre afatshkurtra apo afatgjata. A kemi ne një turizëm me imazh të konsoliduar që mund të minimizojë ndikimet dhe si e prisni të jetë viti 2022?
Lufta në Ukrainë solli një pështjellim të ri të situatës. Rriti pasigurinë në BE dhe rajon. Solli shtrenjtimin e lëndëve djegëse, si burim i rëndësishëm për prodhimin e lëndëve të para, por automatikisht po rrit çmimet e produkteve bazë të konsumit familjar dhe të çmimeve në përgjithësi.
Kjo ka kompromentuar kontratat e lidhura për vitin 2022, jo vetëm për turistët rusishtfolës (Ukrainë, Rusi e Bjellorusi që përbëjnë rreth 2% të numrit total) por dhe kontratat me kompanitë ndërkombëtare për konferenca, trajnime etj.
Cilat mendoni janë disa nga masat qe kanë paralizuar apo favorizuar sektorin në këto dy vite, për shembull shpallja e vendit si COVID Free, si favorizuese, apo orari i mbylljes si penalizues, që ka qenë gjatë gjithë vitit? A mendoni se marrja e masave ka qenë e mirëmenduar dhe e bazuar apo duhet të kishte një qasje tjetër më mirëkuptuese me bizneset?
Mendoj se Qeveria dhe Komiteti Ekspertëve duhet të ishin më koherent në rekomandimet për masat dhe duhet të konsultoheshin dhe me grupet e interesit për të rakorduar më mirë vendimet.
Ndërkohë që vendet e BE, mbi një muaj përpara, informonin për uljen e masave që do të ndërmerren gradualisht për të hapur sezonin 2022 në mars, ne vazhdonim të këmbëngulnim se duhet t’i mbajmë konstante.
Kjo u sjell një dëm të madh kontratave të punës kryesisht të bregdetit (pasi industria po punon me 1+½ turn për shkak të kufizimeve).
Pandemia ka qenë një periudhë e ngarkuar dhe më shumë në kontekstin e mbijetesës për shumë sektorë. Por sot turizmi, ashtu si shumë sektorë të tjerë, po raportojnë se është bërë edhe më e vështire të gjesh burime njerëzore, qoftë në shërbimet e thjeshta bar-restorant, ashtu edhe në disa segmente specifike. Çfarë mund të bëhet për të ndryshuar këtë panoramë?
Lehtësimi i masave ndaj COVID-19 dhe hapja graduale e sezonit turistik nga 1-15 mars, nga shumë vende të BE si Zvicra, Greqia, Gjermania, etj., është një sinjal i mirë.
Ndërtimi i hoteleve me kapacitete të mëdha dhomash dhe me kompleksitet shërbimesh, Beach Bare, Restorante të dedikua, Agrobiznese, Bare & Klube Nate, po nxit rritjen e standardeve dhe cilësinë e shërbimit. Zhvillimi i vrullshëm ka bërë që një pronar apo të afërmit e tij, nuk mund të jenë të aftë të drejtojnë me sukses, pa një përgatitje profesionale.
Sipërmarrësit po tentojnë gjithnjë e më shumë të angazhojnë staf të dedikuar, të trajnuar dhe me përvojë në këtë sektor. Ka ardhur koha të ndahet përfundimisht “Prona nga Menaxhimi”.
Kjo ka bërë të mundur aktivizimin e profesioneve të reja si: Menaxher Marketingu, SPA apo Shitje, Menaxher F&B, Bartender, Somelier, etj. Është krijuar një situatë emergjente për burime njerëzore e stafe të kualifikuar.
Në horizont po shfaqet “Kriza e rritjes së çmimeve të shërbimeve”. Kjo do të sjellë rritjen e çmimeve të produkteve, por edhe pagave. Biznesi i vogël duhet t’i “përvishet punës”, të rrisë rendimentin dhe përgjegjësinë, ndryshe do të falimentojë.
Nuk do të këtë më një pronar në qoshe, duke pire kafe, por një pronar që do të shërbejë vetë në banak dhe kamerier./Monitor