AKTUALITET, 22 Shkurt 2023, 21:59

Kërcënoi me thikë dhe pistoletë lodër fëmijët e shkollës 9-vjeçare në Sarandë, dërgohet për hetim çështja ndaj 14-vjeçarit

Kërcënoi me thikë dhe pistoletë lodër fëmijët

Pas denoncimit të bërë nga disa prindër në Sarandë për një 14-vjeçar që ka kërcënuar me armë fëmijët e shkollës 9-vjeçare “Adem Sheme”, policia ka dërguar materialet për hetim në prokurori.

Deri më tani, ende nuk është marrë asnjë masë për 14-vjeçarin, teksa prindërit vijojnë që të mos i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë.

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë referuan materialet në Prokurorinë e Sarandës, për një shtetas të mitur 14 vjeç, banues në Sarandë, pasi kanë bërë kallëzim disa bashkëmoshatarë të tij, se në shkollën ku studiojnë së bashku, në Sarandë, 14-vjeçari i ka kanosur ata, me një objekt plastik (pistoletë lodër).

Materialet iu referuan Prokurorisë, për vlerësim, në bazë të Udhëzimit të Përgjithshëm nr.15, datë 30.10.2020, të Prokurorit të Përgjithshëm.

Një ditë më parë, prindërit e fëmijëve të shkollës 9-vjeçare në Sarandë, kanë denoncuar edhe në media rastin e 14-vjeçarit. Sipas tyre, ai i ka kërcënuar fëmijët me thikë, duke i mbajtur të izoluar në klasë.

Ndërsa një rast tjetër, sipas denoncimit të prindërve, 14-vjeçari ka hyrë me një pistoletë lodër në klasë dhe ua ka drejtuar fëmijëve.