AKTUALITET, 22 Shkurt 2023, 17:32

Dhunuan ekspertin e ekonomisë Petraq Milo në pikën kufitare të Malit të Zi, arrestohen dy efektivët e policisë

Dhunuan ekspertin e ekonomisë Petraq Milo në pikën kufitare

Pas publikimit të pamjeve në rrjetet sociale ku dhunohet kryetari i Komisionit për Ekonominë dhe Financat në Partinë e Lirisë, Petraq Milo në kufirin malazez, janë arrestuar dy prej policëve të cilët u përfshinë në këtë ngjarje.

Sipas mediave vendase, në pranga janë vendosur efektivët Nikola Boljevic dhe Dragan Scekic.

Ngjarja ndodhi më 15 janar në pikën kufitare Sukobinë-Muriqan, afër Ulqinit. Por vetëm një muaj më pas, në rrjete sociale është publikuar videoja ku shihen efektivët e policisë që dhunojnë Petraq Milon.

Në videon e publikuar, në një moment shihet dhe dëgjohet Petraq Milo u thotë policëve se “nuk kam bërë asgjë”. Në video po ashtu dëgjohet fjalia “ule telefonin”, teksa polici nxjerr me dhunë nga makina ekspertin e ekonomisë.