AKTUALITET, 5 Nëntor 2021, 18:59

Këlliçi pritet t’i bashkohet Berishës, hakmerret Basha, shpall zgjedhjet në FRPD

Këlliçi pritet t’i bashkohet Berishës, hakmerret Basha,

Belind Këlliçi nuk do të jetë më në krye të Forumit Rinor të Partisë Demokratike. Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha vendosi këtë të premte të hap garën për kreun e ri të Forumit Rinor, dy vite pas mbarimit të mandatit të Këlliçit.

Basha udhëzoi nisjen e procesit të rifreskimit të strukturave dhe ngritjen e një grupi pune që do të mbikëqyrë procesin, pasi mandati i shumicës dërrmuese të drejtuesve të FRPD-së ka mbaruar dhe një pjesë e drejtuesve kanë tejkaluar moshën.

Vendimi i kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha për të shpallur zgjedhjet për drejtimin e Forumit Rinor të PD vjen 48 orë përpara se Sali Berisha të zhvillojë një takim me të rinjtë e kësaj strukture të PD. Burime pranë stafit që merret me organizimin e takimeve të ish-kryeministrit Berisha thanë për ABC se të dielën pjesë e këtij takimi pritet të jetë edhe kreu aktual i FRPD, Belind Këlliçi.

Disa javë më parë disa anëtarë të kryesisë së Forumit Rinor Demokrat i kërkuan zyrtarisht PD të mbledh Kuvendin Kombëtar. Edhe në disa qarqe të vendit shumë eksponentë të Forumit Rinor të PD, i janë bashkuar nismës së ish-kryeministrit Berisha./Abc