AKTUALITET, 26 Nëntor 2023, 14:43

Katër vite nga tërmeti i 26 nëntorit, Presidenti Begaj: Puna e jashtëzakonshme bëri që gjurmët e asaj fatkeqësie të kalonin shpejt

Katër vite nga tërmeti i 26 nëntorit, Presidenti Begaj: Puna e

Katër vite pas tërmetit tragjik në Durrës që la pas 51 viktima e qindra të plagosur, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ishte këtë të diel në Durrës ku midis të tjerash përkujtoi edhe tragjedinë që preku vendin tonë në vitin 2019.

“Vlerat njerëzore të këtij qyteti dhe të kombit tonë si: humanizmi, solidariteti, angazhimi, mobilizimi, dhe puna e jashtëzakonshme bënë që gjurmët e asaj fatkeqësie të kalonin sa më shpejt. Sot, pas 4 vjetësh, le të kujtojmë me respekt viktimat e tërmetit të 26-nëntorit”, thotë kreu i Shtetit.

Ndërkaq, Presidenti mori sot pjesë në ceremoninë e ngritjes së flamurit, në përkujtim të 26 Nëntorit 1912. Kreu i Shtetit vlerësoi rolin e qytetarëve të Durrësit, që në atë kohë dolën në krah të patriotëve për ardhmërinë e Shqipërisë së pavarur dhe, gjithashtu, vizionin e tyre sot për transformimin e qytetit.

“Durrësi është qyteti i parë i Rilindjes sonë, ku 111 vjet më parë, më 26 nëntor, u ngrit krenar flamuri i Kastriotit të lavdishëm, një akt i shenjtë dhe një kujtesë për vlerat më të shtrenjta, njësoj si gjaku dhe gjuha, njësoj si betejat dhe sakrificat e panumërta që janë bërë mbi këtë tokë e për këtë truall.”- theksoi Presidenti.