AKTUALITET, 26 Nëntor 2023, 12:55

Beleri i përgjigjet Ramës nga burgu: Në prag të seancës së 4 dhjetorit, imponon gjykatën që të më ndalojë të betohem

Beleri i përgjigjet Ramës nga burgu: Në prag të seancës

Kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, ka reaguar mbi deklaratat e kryeministrit Edi Rama, duke theksuar se kreu i qeverisë udhëzon gjyqtarët dhe deklaron se ka qenë në kushtet e flagrancës! Në një reagim në rrjetet sociale, Beleri shkruan, ndërsa pritet seanca gjyqësore e 4 dhjetorit, kryeministri sipas tij, urdhëron gjyqtarët të shqyrtojnë kushtet në të cilat kryhet betimi dhe paragjykon vendimmarrjen e tyre.

"Kryeministri shqiptar Edi Rama, për të disatën herë në shtatë muajt e fundit, me ndërhyrjet e tij politike dirigjon drejtësinë shqiptare. Në mënyrë të pavërtetë, deklaron se jam arrestuar në flagrancë për shitblerje votash. Gjykata ende nuk ka vendosur për rrethanat reale të arrestimit tim, ndërsa unë vetë kam paraqitur ankesë në gjykatë lidhur me arrestin në flagrancë, ankesë e cila ende nuk është shqyrtuar nga gjykata kompetente. Nga ana tjetër, z. Rama udhëzon gjyqtarët dhe deklaron se ka qenë në kushtet e flagrancës!

Pyes veten nëse e ka parë ose jo videon e arrestimit tim, e kapur rastësisht nga kamera e një restoranti në shëtitoren e Himarës? A e pa që unë po bisedoja me avokatin dhe kushëririn tim?

Ndërhyrja e z. Rama është shkelje e prezumimit të pafajësisë, siç qartësisht përcaktohet në nenin 6 par.2 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Le ta kuptojë që derisa të provohet nëse jam ose jo fajtor, prezumohem i pafajshëm.

Këtë herë, Edi Rama nuk ngurron të ndërhyjë edhe në çështjen e betimit tim, çështje e cila pritet të shqyrtohet. Deklaron fjalë për fjalë, duke iu referuar personit tim: “Ai nuk mund të betohet, pasi ligji ynë është shumë i qartë për kushtet në të cilat kryhet betimi”.

Deri më tani na trumbetonte se është drejtësia ajo që do të vendosë dhe se ai vetë nuk dëshiron të ndikojë në vendimin e gjykatës. Duke qenë se tani e sheh që seanca lidhur me shqyrtimin e kërkesës sime për kryerjen e betimit do të zhvillohet më 4 dhjetor 2023, po ndryshon taktikë. Ai i urdhëron gjyqtarët të shqyrtojnë kushtet në të cilat kryhet betimi dhe paragjykon vendimmarrjen e tyre. Në këtë mënyrë, imponon gjykatën që të më ndalojë të betohem.

Le të tregojë vetëpërmbajtje, siç i takon për postin që mban. Në fund të fundit është kryeministër! Le të sillet si i tillë!"-thuhet në reagimin e Belerit.

Kryeministri Edi Rama, u shpreh dy ditë më parë, në një konferencë shtypi me gazetarët, se arrestimi i Fredi Belerit është çështje e drejtësisë, dhe qeveria nuk ndërhyn në institucionet e saj. Ai komentoi pyetjen nëse Greqia rrezikon integrimin e Shqipërisë në BE.

“Presioni grek, e kam thënë opinionin tim, nuk dëshiroj të ushqej një debat ku qeveria nuk është palë. Nuk kemi asnjë lidhje me këtë histori. Bëhet fjalë për një individ që është arrestuar në flagrancë për blerje votash. Është në një proces gjyqësor në GJKKO, është në pamundësi të bërjes së betimit, sepse ligji ynë është shumë i qartë. Qeveria nuk ka këtu asnjë rol për të luajtur. Mbase në të shkuarën qeveria ishte të mësuar të luajë t’i thoshte drejtësisë se çfarë duhet të bënte.

Nuk mund të vëmë drejtësinë në dispozicion të kërkesave të të huajve. Nuk ndërhyjmë për asnjë arsye në punën e drejtësisë e lë më të SPAK dhe GJKKO. Janë produkte të një përpjekjeje që e kemi nisur ne, e kemi realizuar ne, ndërsa reformën në drejtësi në realitet duhet ta zbatojnë ata. Ne thjesht duhet t’I mbështesim duke mos u përzier në punën e tyre.

A mundet Greqia të bllokojë. Po edhe mundet, po pastaj? Nëse kjo do ndodhë, kur të ndodhë do dëgjoni komentin tim. E kam thënë do ishte shumë jo serioze që Shqipëria që njihet sot si një vend krejt ndryshe nga ai që ishte, të bllokohet për një çështje që s’është fare çështje e kornizës negocionuese me BE, por edhe në aspektin bilateral sipas meje është minore mes marrëdhënies mes Shqipërisë dhe Greqisë.” -u shpreh Rama.