TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Anija “Caledonia”ka mbërritur më 5 Gusht në portin e Durrësit, por nuk po arrin të shkarkojë mallrat me kontejnerë për shkak të vonesave që janë ripërsëritur në këtë terminal.
Dy ditë më pas më 7 Gusht ka mbërritur edhe anija “Frederic”, që po pret radhën për t’u shkarkuar në rada. Më datë 8 gusht ka mbërritur edhe anija “Harrison”, dhe 1 ditë më pas erdhi edhe anija “CMA CMG TANGER”. Të dyja janë në pritje për t’u shkarkuar. “Libertas H” pritet të mbërrijë për t’u shkarkuar më 12 Gusht dhe më 13 anija “K OCEAN”.

Shkaku i vonesave sipas një ankesë që 4 drejtues të linjave detare i kanë drejtuar kryeministrit Edi Rama, ministres së MEI Belinda Balluku dhe kreut të Autoritetit Portual Durrës Pirro Vengu pohojnë se situata është shumë shqetësuese, për shkak të mosfunksionimit të mjeteve.
“Edhe pse kemi bërë disa herë shkresa drejtuar institucionit tuaj situata ditën e sotme jo vetëm që nuk është përmirësuar, por është bërë tepër shqetësuese. Në terminal janë vetëm 2 reach-stacker në funksion (1 për evadimet dhe tjetri për të mbështetur operacionet në anije). Për më tepër operacionet e ngarkim-shkarkimit kanë një rënie të produktivitetit pasi vinçat shfaqin probleme herë pas here”, thuhet në letër.
Vonesa u krijuan edhe në periudhën nga 25 Maj deri më 25 Qershor, ku sërish drejtuesit e 5 linjave detare iu drejtuan kryeministrit Edi Rama dhe ministres Belinda Balluku me një letër ku kërkonin zgjidhjen e situatës.
Kjo situatë, sipas drejtueseve të linjave detare ka sjellë një akumulim të ngarkesave në portet e tranzitit (pasi nuk mund të shkarkojnë në kohë) dhe vonesa të mëdha të mallrave sezonale që ndikojnë në periudhën turistike.
“Kjo situatë ka shtuar presionin e të gjithë klientëve dhe transportuesve që mbështesin zinxhirin e shërbimeve. Këta të fundit disa ditë më parë kanë protestuar dhe janë përplasur me punonjësit e terminalit.
Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto kompania MARINER ndërpret në mënyrë të pajustifikueshme operacionet e anijeve për të suportuar fluksin e kamionëve që arrijnë nga hyrja e terminalit deri tek Kalata 0. Koha që shpenzon një kamion në radhë (pa llogaritur vonesa në procesin e monitorimit të frigoriferëve apo kontrollit në skaner) varion nga 4-8 orë”, thuhet ndër të tjera në letër.
Drejtuesit e linjave detare kërkojmë normalizimin e menjëhershëm të situatës, “jo me premtime boshe si në çdo mbledhje, pasi kostot që rëndojnë mbi ne janë tepër të mëdha. Një pjesë e ngarkesave janë zhvendosur tashmë në porte alternative, pasi porti i Durrësit vazhdon të shfaqë probleme serioze dhe në rritje dhe perspektiva nuk është aspak premtuese”, citohet në letër.
Shërbimi për ngarkim-shkarkimin e kontejnerëve të anijeve në Portin e Durrësit prej vitit 2021 menaxhohet nëpërmjet një kontrate shërbimi nga kompania malteze “Mariner Adriatic”, të cilës ia janë vënë në dispozicion mjetet e portit. Kompania private ka objektiv mirëmbajtjen e mjeteve. Amortizimi i mjeteve dhe mosvënia e tyre në punë ka sjellë që situata për vonesat në shkarkim të përsëritet disa herë në këtë shërbim.
Kontrata e shërbimit është me afat 3-vjeçar me vlerë 3,7 miliardë lekë. Para kompanisë malteze shërbimi iu dha me koncesion kompanisë turke “Contanier Durrës”, por të cilës iu ndërpre më 2018. Çështja mes palëve pritet të zgjidhet në Gjykatën e Arbitrazhit. Kompania ka kërkuar 100 milionë euro dëmshpërblim. /Monitor

