AKTUALITET, 3 Shkurt 2026, 16:31

Kaos në tregun farmaceutik/ Mungojnë barnat me rimbursim, farmacistët denoncojnë ndërhyrjet arbitrare

Kaos në tregun farmaceutik/ Mungojnë barnat me rimbursim,

Kaosi i krijuar në tregun farmaceutik për shkak të ndryshimeve të çmimeve të barnave – në disa raste ulje dhe në të tjera rritje – konfirmohet nga Urdhri i Farmacistëve, i cili e konsideron këtë një ndërhyrje arbitrare nga ana e Fondit. Pasojat, sipas tij, po i vuajnë pacientët, të cilët prej ditësh nuk po marrin barna të rimbursueshme, pasi barra e uljes së çmimeve po bie mbi farmacistët.

Gjatë ekzekutimit të recetave me rimbursim, farmacistët përballen me një ulje drastike të çmimeve në sistem, e cila nuk është reflektuar në depot farmaceutike, pasi ulja nuk është aplikuar në të gjithë zinxhirin farmaceutik. Kjo duket qartë edhe në komunikimet mes farmacive dhe depove.

“Urdhri i Farmacistëve nuk po e kupton nëse kjo është indeksim apo një gabim apo abuzim, sepse nuk jemi informuar për këtë”, u shpreh Dëfrim Goma.

Brenda një muaji pritet të dalë lista e re e barnave të rimbursueshme, e cila parashikohet të krijojë një tjetër ngërç, deri në mungesë barnash në listën e rimbursimit. Kjo pasi Komisioni i Vlerësimit të Barnave ka vendosur çmimet me të cilat barnat duhet të importohen nga kompanitë farmaceutike.

“Nuk mund të imponosh, sepse ata nuk kanë interes për një treg të tillë”, tha Dëfrim Goma. Kreu i Urdhrit të Farmacistëve thekson se ka dhjetëra barna që kompanitë farmaceutike nuk i sjellin më në tregun shqiptar për këtë arsye.

Në një reagim të sotëm, Ministria e Shëndetësisë nuk pranon se ka rritje të çmimeve të barnave, por vetëm ulje të alternativave të vetme, e cila sipas saj është bërë në përputhje me ligjin. Megjithatë, ministria nuk sqaron pse kjo ulje nuk është aplikuar në të gjithë zinxhirin farmaceutik, kush do të marrë përgjegjësinë për dëmin e krijuar nga stoku dhe si do të zhbllokohet situata që pacientët të marrin barna me rimbursim.