AKTUALITET, 28 Korrik 2022, 21:00

“Je mik i ngushtë i Shkëlzenit, prandaj u fute në PD?!”/ Julian Deda flet për angazhimin në politikë

“Je mik i ngushtë i Shkëlzenit, prandaj u fute në
Julian Deda dhe Shkëlzen Berisha

Julian Deda ka treguar arsyet që e kanë shtyrë të futet në politikë dhe të angazhohet me PD-në.

I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Deda tha se është bashkuar me Partinë Demokratike sepse e ka ndjerë si përgjegjësi të kritikojë dhe të tregojë gjërat që nuk shkojnë me vendin dhe se kjo nuk lidhet me faktin që ai është mik i djalit të kryetarit të partisë, Sali Berisha. 

Pjesë nga biseda:

Ylli Rakipi: Si të duket politika? Mos ndoshta edhe ajo është një humor dhe një shaka e madhe dhe të shkon edhe ty në këtë rast?

Julian Deda: Këtu politika nuk është humor, është tallje e madhe. Humori dhe tallja ka një dallim të madh. Janë disa njerëz atje sipër. Janë dy botë, asnjëra botë nuk ia di botës tjetër se si jetohet. Ata sipër nuk e dinë fare se çfarë bëhet dhe thjesht tallen. E ka marrë ai zotëria, kryeministri, shoku Rama, e ka kthyer në aplikacion dhe e shtyp, cfarë do të bëjmë sot, e shtyp si lodër kalamajsh.

Ylli Rakipi: Pse e pëlqen Jul Deda politikën?

Julian Deda: Si fillim, unë nuk është se e pëlqej politikën, por unë pëlqej që një shqetësim që e kam, ta them. Kështu e kam nisur këtë gjë, këtu e para nëntë vitesh. E kam ndjerë si përgjegjësi sepse mendoj se të gjithë njerëzit si puna ime, që kanë një audiencë, kanë një lloj influence në publik, duhet ta thonë atë që mendojnë, si për mire dhe si për keq, nuk kemi pse fshihemi. Kemi kaluar lloj lloj kauzash, të cilat deri diku janë shitur, janë blerë, nuk janë çuar deri në fund, janë futur shkopinj nëpër rrota. Por ama, si njerëz të njohur, jo si vipa, si njerëz që kemi një lloj audience, mund ta themi se çfarë nuk shkon mirë. Se sa influencojmë këtë nuk e di.  Pastaj, aderimi në një parti politike është tjetër gjë.

Ylli Rakipi: Thonë përshembull që ti je miku i ngushtë i Shkëlzen Berishës dhe ky është shkaku që je frontuar në politikë?

Julian Deda: Nuk është ky shkaku. Unë vërtet jam mik me Shkëlzenin, jemi moshatarë, jemi shumë miq dhe nuk kam kompleks në këtë drejtim. Por, me Zenin jam njohur pasi kam dhënë pëlqimin tim për Partinë Demokratike, jo e kundërta. Nuk kam shkuar në PD nga njohja me Zenin.