TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Julian Deda ka qenë i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ku foli për jetën e tij, profesionin, politikën dhe për çështje që e shqetësojnë në Shqipëri.
Ai rrëfeu se si vendosi të bëhej aktor humori dhe tha se në Shqipëri, shumë njerëzve u buron humori nga e keqja me të cilën përballen.
Pjesë nga biseda:
Julian Deda: Puna e aktorit, është si dardha që bie nën dardhë. Unë kurrë nuk e kam dashur si profesion si fillim. Gjëja që doja më pak ishte të bëhesha aktor.
E gjitha ishte sepse kisha babin në shtëpi. Kam patur pak probleme me të përballurin me njerëzit, e kisha pak si kompleks, sepse e shikoja Zefin që ndalonte, takonte shumë njerëz, fliste. Unë e kisha pak si siklet, si natyrë, ndoshta nga adoleshenca. Prej kësaj, nuk e kam dashur shumë këtë punë.
Por, Zefi më merrte me vete dhe detyrimisht kanë mbirë disa gjëra te unë. E kam parë teatrin që pesë vjeç, skenën, dhomat, skutat e skenës, sallën. Kur erdhi mosha 16-17 vjeç, mora pjesë në një komedi në Shkodër dhe aty më tha Bardh Smaja bashkë me Meritën, më tha ti do të vazhdosh vetëm për aktor, mos u lodh me muhabete të tjera.
I vetmi imponim i babait ka qenë që të jem korrekt me njerëzit, të mos tregoj arrogancë, të tregoj njerëzillëk. Pasaj erdha në shkollë, kisha një zjarr të brendshëm. E dua shumë si profesion.
Ylli Rakipi: Ti dukesh si tip “ku rafsha mos u vrafsha”. Bën vetë kështu apo është e vërtetë? Nuk ke fare halle?
Julian Deda: Kam edhe unë halle. Jetoj edhe unë në Shqipëri. Kam edhe unë pluhurin te dera, kam vështirësitë e mia si njeri. Nuk jam një njeri me shofer, apo njeri që mi bën njeri punët e mia. Kam hallet e zakonshme.
Pjesa më e rëndësishme e humorit është serioziteti.
Ylli Rakipi: A nuk duket se ky vend është i gjithi qesharak dhe profesionin tënd e kanë të gjithë?
Julian Deda: Më duket më shumë traumatik vendi sesa qesharak. Nëse të gjithë tentojnë të bëjnë humor, ose i buron humori nga e keqja, këtu bëhemi qesharakë. Kemi parë nëpër televizione, që të gjithë po tentojnë të bëjnë humor, në Parlament, te emisionet e pasditeve, humor te emisionet politike dhe zhvlerësohet pjesa e të bërit humor. Secili duhet të bëjë mirë atë që di të bëjë. Kur hap televizorin të shoh emision politik ose social, e shoh sepse është i tillë, sepse për humor shoh diçka tjetër.
Ylli Rakipi: Unë kam njohur pak humoristë. Filip Çakulin përshembull, ai ka shkruar humorin dhe tani e përcjell te të tjerët, por kam vënë re një gjë shumë interesante, ai punonte shumë, kur shkon në punë është shumë herë më serioz se të gjithë njerëzit seriozë që unë kam parë. Më ka bërë përshtypje.
Julian Deda: E kam parë në punë Filipin. Por, jo vetëm Filipin, me Agronin dhe me të gjithë aktorët e humorit, kam parë te të gjithë seriozitet të madh në bërjen e punës, për të nxjerrë material të mirë.