AKTUALITET, 15 Mars 2024, 17:22

Ish-polici i burgjeve shënjestër i atentateve të përsëritura/ Pak muaj më parë Bejtjas iu vra kunati dhe iu plagosën dy djemtë

Ish-polici i burgjeve shënjestër i atentateve të

Gentjan Bejtja u ekzekutua ditën e sotme në oborrin e banesës së tij, teksa ish-polici i burgjeve ka qenë disa herë shënjestra e atentateve. Në shtator të viti të kaluar ai ishte objektivi i atentatit në Krujë, ku pa jetë mbeti kunati i tij Ramazan Sino, 29 vjeç dhe iu plagosën dy djemtë e mitur.  Por kjo nuk ishte hera e parë që Bejtja i shpëton një atentati të orkestruar enkas për të.

Në shtator 2016, Bejtja i shpëtoi një shpërthimi me lëndë eksplozive në mjetin e tij ku mbeti i plagosur. Janarin e vitit të kaluar Bejtja ishte gjithashtu objektiv i një atentati në Fushë Krujë. 9 janarin e 2022 ai po udhëtonte me makinë së bashku me Klodian Stafukën, kur drejt automjetit të tyre u qëllua me armë. Bejtja mori plagë në krah dhe si pasojë humbi kontrollin e mjetit duke përfunduar jashtë rrugës.

Bejtja dyshohej edhe si autori i vjedhjes së automjetit me të cilin u bë vrasja e kryekomisarit Dritan Lamaj. Por së bashku me Enver Stafukën, Bejtja mori pafajësinë nga Gjykata e Durrësit, për mungesë provash si autorë të vjedhjes së mjetit të përdorur në vrasjen e komisarit në Tiranë në vitin 2013. 15 muaj pas këtij vendimi të Gjykatës dhe dy vjet pas vrasjes së Lamajt, në shkurt të 2015-s, Stafuka u rrëmbye nga persona të paidentifikuar dhe ngjarja mbetet ende e pazbardhur.