AKTUALITET, 28 Korrik 2022, 09:56

Ish-efektivi i RENEA-s, Remal Rada do të dalë sot në gjykatë, pse dyshohet që punonte për grupe kriminale

Ish-efektivi i RENEA-s, Remal Rada do të dalë sot në

Remal Rada pritet që ditën e sotme të dalë para gjykatës, ku do të njihet me masën e sigurisë. Ai ka mohuar të ketë lidhje me armët pasi, sipas tij, në çantë ka menduar se ka rroba sportive dhe jo armë.

Por Rada nuk tregon se kush është personi që ia ka sjellë çantën me snajper brenda, ndërkohë që Policia bën me dije se në atë çantë nuk janë gjendur para.

Tashmë Rada do të hetohet për një mori ngjarjesh, por së pari do të priten rezultatet e Policisë Shkencore, për të parë nëse armët janë përdorur në ndonjë ngjarje tjetër ende të pazbardhur.

Zbulohet tjetër bazë armatimi nën zotërimin e ish-efektivit të RENEA-s

E ndërsa Policia e Tiranës kishte dorëzuar arsenalin e parë të armëve në laboratorin shkencor, nga një tjetër kontroll në një tjetër bazë që thuhej se mbante me qira ish-efektivi i RENEA-s janë gjendur sërish me armë dhe mjete policore.

Policia e Shtetit dhe ajo e Tiranës kanë kyçur informacionin me ish-efektivin elitë, ndërkohë që askush nuk di të thotë se si ka përfunduar në probleme të tilla Remal Rada, i riu që shërbeu për shumë vite në repartin e Forcave Speciale.

Policia nuk bën me dije nëse zbulimi i tij ishte rastësor apo dorëzimi i armëve mbrëmjen e së hënës ishte një dorëzim i kontrolluar, ndërkohë që burime konfidenciale bëjnë të ditur se Remal Rada dyshohet si i rekrutuar nga grupe të fuqishme kriminale.

Referuar të dhënave policore, mësohet se arma e gjendur ditën e djeshme në banesën e tij është një armë e sofistikuar, ndërkohë që snajperi i kapur në çantën e kuqe sportive është një armë me kalibër të lartë saktësie, ç'ka rrit dyshimet se arma ka qenë për ekzekutimin e ndonjë personi.

Një burim policor i tha “Panoramës” se personi që u arrestua me të, nga hetimet paraprake nuk rezulton të jetë i përfshirë në aktivitet, por me sa duket, ka qenë rastësisht me ish-efektivin mbrëmjen e arrestimit.

Të tjera materiale policie, armë radio dhe jelekë me mbishkrimin RENEA i janë gjetur dhe sekuestruar ishefektivit të RENEA-s në Selitë e Vjetër. Policia njoftoi dje se kishte vijuar operacionin e koduar “Double Strike”, duke kontrolluar banesën që Remal Rada kishte marrë me qira në Selitë të Vjetër.

“Gjatë kontrollit në këtë banesë, në zonën e quajtur ‘Selitë e Vjetër’, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë, 13 pajisje të ndryshme fiksuese dhe shtrënguese si ato të armëve, municion luftarak, këllëf pistolete, 2 radio Policie, një aparaturë valësh, dy elektrikë dore, njëri prej tyre me mbishkrimin ‘Policia’, 4 thika, targa shqiptare dhe të huaja, jelek multifunksional me mbishkrimin ‘RENEA’, shënjestër optike, 15 aparate celulare dhe sende të tjera”, informoi sot Policia.

Remal Rada u ndalua së bashku me mikun e tij, Elton Hithin, pasi në makinën luksoze me të cilin udhëtonin u gjet një snajper.

Edhe gjatë kontrollit të banesave, Policia njoftoi se me 26 korrik 2022 kishte sekuestruar 1 armë zjarri snajper, 1 armë zjarri pistoletë, një karikator arme automatike, 2 krehra pistolete, një sasi municioni luftarak, dy palë dylbi nate terminale dhe një dokument policie. Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.

Materialet shtesë i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”. Kontrolli u ndërmor në kuadër të operacionit “Double strike”.