AKTUALITET, 23 Maj 2024, 11:24

Ish-ambasadori i Greqisë në Tiranë: Athina është kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan

Ish-ambasadori i Greqisë në Tiranë: Athina është

Në një opinion të publikuar në gazetën “Kathimerini”, ish-ambasadori i Greqisë në Tiranë, Alexandros Mallias, shkruan për kërcënimin strategjik që përfaqëson revizionizmi historik sot në Europë.

Sipas tij, kjo qasje ushqehet dhe drejtohet nga Rusia, kryesisht në mënyrë të kamufluar. Mallias ndalet edhe te përpjekja e Serbisë për të rrëzuar rezolutën e OKB-së, për Srebrenicën, duke nënvizuar se si dëshmitar i ngjarjeve të saj kohe në cilësinë e anëtarit të Misionit Vëzhgues të BE-së në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid, për të cilin Europa duhet të kërkojë falje që nuk veproi.

"Greqia do të kishte arsye të mëdha për të drejtuar këtë fushatë", tha ai.

Sipas tij përpjekje revizioniste përfaqëson edhe ideja e ndryshimit të kufijve në Ballkan, që në rastin e Kosovës, sipas tij, u mbrojt “për arsye të ndryshme” nga Aleksander Vuçiç, Federica Mogherini dhe Hashim Thaçi, ndërkohë që diplomati grek shton se ajo u kundërshtua nga Albin Kurti dhe Angela Merkel. 

Për idenë e ndryshimit të kufijve dhe shkëmbimit të popullsive, Mallias bën edhe këtë vërejtje:

"Vështirë se do të çuditej kush nëse ajo do të merrte mbështetje edhe nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama".

Pyetja dhe shqetësimi është se ku ndalet ky ndryshim kufijsh dhe me çfarë çmimi? Sidomos nëse mbahet parasysh se fuqi revizioniste është edhe Turqia.

Mallias e sheh veprimin e Greqisë në adresimin pranë SHBA dhe BE-së të “rrezikut të revizionizmit në Ballkan”, çka nënkupton se Athina zyrtare është kundër çdo ndryshimi kufitar në Ballkan, pra edhe në Kosovë, për shkak të efektit domino që ajo sjell. 

Më tej, ai bën me dije se në kancelaritë europiane po krijohen ekipe të menaxhimit të krizës, për të përballuar rikthimin në pushtet të Donald Trump dhe mos lejuar më atë që ndodhi mandatin e parë të tij.