AKTUALITET, 23 Maj 2024, 11:05

Akuzohet për trafik droge, GJKKO dënon me pesë vite burg një person

Akuzohet për trafik droge, GJKKO dënon me pesë vite burg një

GJKKO ka dënuar me pesë vite burg, Endi Braçaj, i cili akuzohet për trafik droge.

Me anë të një njoftim, GJKKO thotë se Endi Braçaj është shpallur fajtor për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, ndërsa u shpall i pafajshëm për veprën penale grup i strukturuar kriminal.

Braçaj u dënua me 7 vite e 6 muaj burg, por me gjykim të shkurtuar dënimi i ulet në 5 vite burgim.

Njoftimi:

1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datën 29.01.2024, ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: gjykimin në themel të çështjes penale Nr.53 Regj. Them., në ngarkim të të pandehurit Endi Braçaj, akuzuar për veprat penale “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” parashikuar nga nenet 283/1, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.

2. Gjykimi i kësaj çështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Paulin Çera, Marçela Shehu, Gentian Marku, me vendimin Nr. 34, datë 22.05.2024 vendosi:

3. Deklarimin fajtor të të pandehurit Endi Braçaj për kryerjen e veprës penale “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, parashikuar nga neni 283/1 të Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 7 (shtatë) vite e 6 (gjashtë) muaj burgim.

4. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Endi Braçaj për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal” të parashikuar nga neni 333/a/2 të Kodit Penal.

5. Në aplikim të nenit 406 paragrafi 1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Endi Braçaj, i ulet 1/3 e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 5 (pesë) vite burgim.

6. Vuajta e dënimit i fillon nga dita e ekzekutimit të vendimit të caktimit të masës së sigurimit “arrest në burg”, në mungesë të tij ose vendimit gjyqësorë të formës së prerë.

7. Shpenzimet procedurale në fazën e hetimeve paraprake dhe ato gjyqësore mbeten në ngarkim të të pandehurit në pjesën që i takon.

8. Kundër këtij vendimi lejohet të bëhet ankim brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Tiranë, më datë 22.05.2024.