AKTUALITET, 23 Maj 2024, 09:49

Mashtrimi me mikrokreditë/ Prokuroria e Tiranës jep nëntë masa sigurie për administratorët e subjekteve financiare dhe përmbaruesve

Mashtrimi me mikrokreditë/ Prokuroria e Tiranës jep nëntë

Një skemë mashtrimi e kredidhënies është zbuluar, ndërsa Prokuroria e Tiranës ka dhënë 9 masa arresti për administratorët e subjekteve financiare dhe përmbaruesve.

Kështu masa arrest me burg janë dhënë për shtetasit me inicialet A. D., A. G., E. M., A. M., dhe A. K. Ndërsa arrest shtëpie është dhënë për shtetasit K. S., E. I., J. D. dhe A. T.

Njoftimi i prokurorisë

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë kërkoi masat e sigurimit “Arrest në burg” dhe “Arrest në shtëpi” për nëntë shtetas, nën akuzë për veprën penale ‘Skema mashtruese dhe piramidale’ të parashikuar nga neni 143/a paragrafi i dytë i Kodit Penal, si pjesë e kallëzimit penal nr.3464, datë 25.02.2020, i Ministrisë së Drejtësisë ndaj subjekteve Micro Credit Albania, ADCA, SHP Zig, FS, FLASH si dhe përmbaruesve të tyre.

Nga aktet e administruara, rezulton se këto shoqëri morën nga banka ‘ProCredit’ 3999 kredi të konsideruara të këqija dhe të pashlyera ndër vite me një shumë totale prej 7.299.203 euro dhe përdorën një skemë shtrënguese të kredi-marrjes ku nëpërmjet vjedhjes u imponohej debitorëve që kishin borxhe të vjetra në banka, të rimerrnin kredi edhe pse nuk kishin mundësi shlyerje si dhe u bllokonin nga shoqëritë përmbarimore rrogat, pronat, apo makinat.

Për likuidimin e këtyre kredive të blera nga MCA, dyshohet se është përdorur vjedhja, duke i detyruar kreditorët që të marrin kredi të reja pranë këtij institucioni financiar, për të zhbllokuar të vjetrën, që përsëri e dispononte si portofol agjencia financiare MCA. Me marrjen e një kredie të re pranë agjencisë financiare MCA zhbllokohej përkohësisht pasuria dhe llogaritë e kreditorëve, por më vonë agjencia financiare MCA shfaqej me kërkesën për likuidimin e shumave të tjera.

Kjo skemë është përdoruar tek kredimarrës të ndryshëm, të cilët rezultojnë të jenë viktima të vjedhjes së pasurisë së tyre, duke shkaktuar një dëm shumë të lartë ekonomik ndaj këtyre shtetasve apo enteve private dhe publike.

Nga ana tjetër, këto institucione financiare aplikonin një kamatë vonesë prej 2% + 8% për çdo vit dhe sipas aktit të ekspertimit kontabël, vlera totale fillestare e detyrimit principal për të gjithë urdhrat e vendosur me palë kreditore shoqërinë ‘Micro Credit Albania’ Sh.a është në shumën 575,842,669.60 lekë. Ndërsa totali i kamat vonesës ligjore sipas normës 2% + 8% në vit është në shumën 258,687,709.07 leke.

Në aktet hetimore të administruara janë evidentuar rastet konkrete për fenomenin e vendosjes së sekuestrove konservative mbi pasuritë e paluajtshme që janë shtrirë dhe ndaj personave që nuk kanë lidhje fare me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore. Rast tipik i kësaj natyre është çështja/dosja përmbarimore ku për një detyrim të prapambetur prej 347.958 lekësh, Micro Credit Albania ka sekuestruar 14 pasuri të paluajtshme të një shtetasi.

Sa më sipër, prokuroria arriti të vërtetojë nga aktet e administruara dhe provojë me veprime konkrete dhe të drejtpërdrejta se përmbaruesit A.M., A.K., dhe A.T. kanë konsumuar elementet e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i K.Penal.

Po kështu u provua se shtetasja K.S., në cilësinë e përmbarueses dyshohet se ka konsumuar elementet e veprës penale të ‘Vjedhjes’, parashikuar nga neni 134/2 i K.Penal.

Ndërsa shtetasit A.D., A.G. dhe E.M., në cilësinë e administratorëve të shoqërive përmbarimore Star-FS dyshohet se kanë konsumuar elementet e veprës penale të vjedhjes, parashikuar nga neni 134/2 i K.Penal. Po kështu edhe shtetasja E.I., administratore e MCA, dyshohet se ka konsumuar veprën penale të ‘vjedhjes’ parashikuar nga neni 134/2 i K.Penal.

Përveç sa më sipër, Prokuroria pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, çmoi se ekzistojnë kushtet dhe kriteret ligjore të parashikuara në nenet 228 e 229 të K.Pr.Penale, që ndaj personave nën hetim të caktohet një masë sigurimi me karakter shtrëngues dhe gjykata vendosi:

1 – Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” për shtetasin A.D.;

2 – Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” për shtetasin A.G.;

3 – Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” për shtetasin E.M.;

4 – Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në shtëpi” për shtetasen K.S.;

5 – Caktimin e masës së sigurimit ‘Arrest në shtëpi’ për E.I.;

6 – Caktimin e masës së sigurimit ‘Arrest në shtëpi’ për shtetasen J.D.;

7 – Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” për shtetasin A.M.;

8 – Caktimin e masës së sigurimit “Arrest me burg” për shtetasin A.K.; dhe

9 – Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në shtëpi” për shtetasen A.T.

Të gjithë të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.