AKTUALITET, 26 Korrik 2022, 21:01

Ilir Meta, bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit? Blushi sfidon Autoritetin e Dosjeve: Nxirrni faktet

Ilir Meta, bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit? Blushi sfidon

Anëtari i Komiteti Organizativ të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka reaguar lidhur me lajmin e nxjerrë sot nga Autoriteti i Dosjeve. Kur kanë kaluar dy ditë nga largimi i Ilir Metës nga posti i presidentit të vendit, sot Autoriteti i Dosjeve bëri me dije se një politikan i lartë me iniciale I.M., ka qenë agjent i Sigurimit të Shtetit. Në sqarimin e Tedi Blushit, ai shkruan se kërkon që Autoriteti i Dosjeve të bëjë publike të gjitha informacionet.

Postimi i Blushit

Ha Ha Ha… Autoriteti i Dosjeve u kujtua t’i kërkojë Kuvendit të ndryshojë ligjin “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit”, një ditë pas themelimit të Partisë së Lirisë, se gjoja një politikan i nivelit të lartë I.M, figuron bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit dhe qenka përpjekur për t’u fshehur nga verifikimet dhe për këtë u dashka bërë një ligj i veçantë.
Mos e lodhni kot Kuvendin me këtë punë, se ka çështje të tjera më të rëndësishme për t’u marrë si aferën skandaloze të inceneratorëve apo Marrëveshjen e Detit me Greqinë (kujtoni letrën e fundit të Presidentit të Republikës për të gjithë deputetët).
LATË NAM ME PATRONAZHISTËT E SOTËM JU QË PASKENI MERAKUN E “PATRONAZHISTËVE” TË KOMUNIZMIT.
I BËJMË THIRRJE AUTORITETIT TË DOSJEVE TË HAPË QË SOT DHE TË BËJË PUBLIKE ÇDO DOSJE DHE INFORMACION TË SIGURIMIT TË SHTETIT DHE GJITHÇKA TJETËR, PËRFSHIRË EDHE PROCESVERBALET E ORGANIZATËS SË RINISË TË ASAJ KOHE!
Jetojmë në kohën e "pavarësisë" së institucioneve, por edhe të TRANSPARENCËS, që nuk do të ndalet.

Pasditen e sotme, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (1944-1991) ka publikuar një raport të ri, duke hedhur dyshime se një politikan ka bashkëpunuar me ish-Sigurimin e Shtetit. Nuk e ka bërë me dije me emër se për kë bëhet fjalë, por ka dhënë inicialet I. M. Përveç tij, kanë dalë edhe inicialet e katër deputetëve të tjerë, por edhe këta janë të paidentifikuar.