AKTUALITET, 29 Maj 2024, 14:00

Identifikohet njëri prej tre agresorëve të avokatit Mëngjesi, dëshmitarja: Filloi t'i rridhte gjaku nga poshtë kokës

Identifikohet njëri prej tre agresorëve të avokatit

Detaje të reja janë zbardhur nga hetimet pas dhunimit të avokatit Sokol Mëngjesi këtë të mërkurë në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Kamerat e sigurisë kanë kapur 3 persona, të cilët pas ngjarjes janë larguar me një makinë.

Policia falë këtyre pamjeve ka mundur të identifikojë një prej agresorëve si dhe mjetin e përdorur. Po punohet për identifikimin e dy të tjerëve. Momentalisht po bëhen kontrolle në Tiranë me qëllim vënien e të identifikuarve në pranga. Në lidhje me gjendjen e tij, avokatit i është ripërsëritur skaneri për të parë gjendje  e hematomave. Ai po mbahet në observim në reanimacion.

Bluzat e bardha thonë se duhet të presin 48 orë për të parë si do të reagojnë parametrat shëndetësore të avokatit.

Ndërkohë Syri.tv ka siguruar dëshminë e personit të parë që e pa avokatin Sokol Mëngjesi të dhunuar në derën e një kopshti, ku sapo kishte lënë fëmijën e tij.

Dëshmitarja: Ishte ora tetë e gjysmë e mëngjesit. Zotëria solli djalin në kopsht dhe kur po dilte nga kopshti (djali ishte futur brenda), tek dera - nuk e pashë fiks kur e qëlluan, por zotëria u shtri te dera e kopshtit. Kam parë momentin që zotëria ishte i shtrirë.

Pyetje: Pasi keni parë këtë moment, keni parë personat rreth tij që ushtruan dhunë?

Dëshmitarja: Njëri nga tre personat që ishin, që ishin bashkë, ishte afër zotërisë edhe mori rrugën...

Pyetje: Çfarë veprimesh bënte në atë moment?

Dëshmitarja: Bëri çik si me ... Nuk e di a i foli apo s’i foli se i pa nga sipër dhe iku.

Pyetje: Kur dolët ju, e gjetët të shtrirë, a përmendej, fliste?

Dëshmitarja: Absolutisht. Ishte pa ndjenja. Kam qenë e para që e kam parë nga sipër. Filloi gjaku t’i rridhte nga poshtë kokës. Shumë pak ishte në fytyrë, por jo i dëmtuar. Nuk kishte fare. Pika gjaku, u gjakos poshtë. Njoftuan njerëzit policinë. Policia erdhi para ambulancës. Pak minuta pas policëve erdhi edhe ambulanca. Në kohën që erdhi ambulanca filloi të përmendej.

Pyetje: Dëgjuat nga autorët, personat që ushtruan dhunë, diçka që të artikulohej?

Pyetje: Kishte fëmijë të pranishëm në momentin që ndodhi ngjarja?

Dëshmitarja: Po, kishte. Jo afër fëmijë. Filluan njerëzit u larguan, fëmijët brenda, rrinin në perimetër, një çikë larg. Kishte njerëz plot. Plot. Prindër, njerëz, makina që lëviznin shpejt.

Pyetje: zotëria që u dhunua, e kishte lënë djalin në kopsht?

Dëshmitarja: Djali ishte futur. Ishte futur në kopsht. Djali nuk pa gjë për mendimin tim. Nuk kishte kalama në oborr të kopshtit. Ai po dilte nga kopshti që të ikte. Më duket se me motorr ishte zotëria, më thanë, por që nuk jam 100% e sigurtë. Syri.tv