AKTUALITET, 29 Maj 2024, 11:22

U dhunua në mes të ish-Bllokut, avokati i Berishës me hemorragji dhe dëmtime në kokë

U dhunua në mes të ish-Bllokut, avokati i Berishës me hemorragji

Burime nga urgjenca e spitalit të Traumës thonë se nga ekzaminimet e para avokati Sokol Mëngjesi ka dy fraktura në kokë. Pritet t’i bëhen edhe ekzaminime të tjera, pasi këto janë rezultatet e para gjatë ekzaminimit me skaner.

Avokati i Berishës, Sokol Mëngjesi po linte fëmijën në kopsht kur u rrah barbarisht nga tre persona të paidentifikuar këtë të mërkurë. Sulmi dyshohet me mjete të forta, leva e doreza metalike.

Autorët e kanë gjurmuar avokatin kur ka dalë nga banesa e tij në zonën e ish-Bllokut dhe i kanë zënë pritë.

Incidenti ndodhi rreth orës 08:30 në kopshtin 31. Autorët, që paraprakisht dyshohet se ishin tre, e qëlluan 34-vjeçarin me dorezë metalike në kokë. Avokati u dërgua me urgjencë në Spitalin e Traumës.

Nuk dihen ende rrethanat e ngjarjes, ndërsa policia ka nisur kërkimet për identifikimin dhe më pas kapjen e autorëve.

Mëngjesi ushtron profesionin e avokatit prej vitesh, ndërkohë që ka zgjedhur të bëjë mbrojtjen e ish-kryeministrit Sali Berisha, në betejën ligjore me drejtësinë, pasi që prej dhjetorit të vitit të kaluar ndodhet në arrest shtëpie për privatizimin e ish-kompleksit "Partizani".