AKTUALITET, 4 Qershor 2025, 13:34

Tafani rrëfen përfshirjen në atentatin me tritol: Laerti më mori në Dajt, më tha do të ndihmoj me mall. Gjatë rrugës më dhanë 500 euro, ndërsa 500 të tjera…!

Tafani rrëfen përfshirjen në atentatin me tritol: Laerti më

Një dëshmi tronditëse është bërë publike nga Artan Tafani, i penduari i drejtësisë, i cili rrëfen në GJKKO përfshirjen e tij në një ngjarje të rëndë kriminale që lidhet me vendosjen e tritolit në një banesë në qytetin e Lushnjës.

Në dëshminë e tij, Tafani përmend emrin e Laert Haxhiut, një emër i njohur për autoritetet ligjzbatuese. Sipas rrëfimit, për herë të parë ai është takuar me Laertin në malin e Dajtit, ku pas një bisede jashtë lokalit, i është ofruar përfshirja në aktivitete të jashtëligjshme që lidhen me transportin e lëndëve narkotike.

“Laerti më mori jashtë, më tha: ‘Hajde flasim pak’. Qëndruam atë natë në një suitë në Dajt. Më tha do të ndihmoj me ndonjë mall… por punë transporti, punë të jashtëligjshme”, rrëfen Tafani.

Ai tregon se më vonë, pas një udhëtimi në drejtim të Lushnjës me persona të tjerë, është paguar fillimisht me 500 euro, ndërsa një shumë tjetër prej 500 eurosh i është dhënë pas disa ditësh. Sipas tij, presioni ndaj tij ka nisur që në ditën e parë të takimit.

Në një takim të mëvonshëm, Tafani deklaron se iu kërkua të vendoste një sasi tritoli në një banesë në Lushnjë, si formë presioni ndaj një personi që, sipas rrëfimit të tij, nuk kishte shlyer një borxh për lëndë narkotike.

“Vendosa 100 gram tritol. Mu duk sikur kjo ishte prova, të shikonin nëse do ta bëja apo jo. E ndeza fitilin dhe ika… e vendosa në derën e banesës, ishte në katin e parë të pallatit,” thotë Tafani.

Ai shton se planin për vendosjen e eksplozivit e kishte diskutuar me Laertin dhe se pas atentatit ishte larguar në këmbë duke kaluar nga shinat e trenit.