AKTUALITET, 10 Shkurt 2023, 19:40

Tërmeti me mijëra viktima në Siri/ OKB: S’kemi informacione ekzakte nga qeveria për ndihmat që kemi dërguar! Ne nuk diskriminojmë askënd

Tërmeti me mijëra viktima në Siri/ OKB: S’kemi informacione

Organizata e Kombeve të Bashkuara thotë se nuk ka marrë asnjë informacion nga qeveria e Sirisë mbi ndihmat që janë dërguar për personat e prekur nga tërmeti në zonat që janë të pushtuara nga rebelët.

Në një prononcim për CNN, kreu i Organizatës Ndërkombëtare të Emigrimit, Antonio Vitorino tha se ende nuk kanë asnjë përgjigje mbi vendin dhe orën se kur do të hyjnë ndihmat e dërguara nga OKB për të prekurit nga tërmeti.

Më herët ditën e sotme, qeveria e Sirisë tha se do të lejojë ndihmat të futen në territorin e “rebelëve” vetëm nëse sigurohet që materialet nuk do të lihen në dorën e terroristëve.

Për këtë çështje, Vitorino u shpreh se është një deklaratë politike nga ana e qeverisë siriane.

“Ne nuk diskriminojmë askënd” – tha Vitorino për CNN.

Dërgimi i ndihmave në zonën veriore të Sirisë për të prekurit nga tërmeti është e vështirë, kjo për shkak të një lufte civile mes forcave të opozitës dhe qeverisë së Sirisë, të udhëhequr nga Presidenti Bashar al-Assad, i cili akuzohet për vrasjen e qytetarëve të tij.

OKB ka dërguar dy autokolona me materiale të ndryshme në ndihmë të qytetarëve të prekur. Ndihmat kanë hyrë nga e vetmja pikë kufitare nga Turqia që e lidh me rajonin verior të Sirisë.