AKTUALITET, 3 Mars 2023, 15:27

I dënuar për trafik droge dhe prostitucion, Safet Bajri lirohet me kusht

I dënuar për trafik droge dhe prostitucion, Safet Bajri lirohet me
Safet Bajri

Safet Bajri, i njohur si anëtar i bandës së Shkodrës është liruar me kusht nga burgu i Fierit ku po vuante dënimin që i ishte caktuar nga gjykata belge.

Gjykata e Fierit ka pranuar kërkesën e tij për lirimin me kusht, kërkesë që ishte bërë rreth një muaj më parë.

Gjykata e Belgjikës e kishte dënuar Bajrin me 9 vite burg në total për trafik droge dhe prostitucion. Bajri u vu në pranga në vitin 2018, jo vetëm në lidhje me dënimin e tij në Belgjikë, por u akuzua dhe për shantazh, trafik droge dhe gjobvënie, aktivitete këto të kryera në Shqipëri.

Në kohën kur u arrestua Bajri zyrtarisht u tha se: Oficerë të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me oficerë të kontaktit të vendeve të përfshira në operacion, kanë kryer veprime në terren për evidentimin, lokalizimin dhe ndalimin e shtetasve anëtarë të grupit, që vepronin jashtë Shqipërisë, e kryesisht në Holandë. Akuzat ndaj anëtarëve të këtij grupi kriminal janë:

“Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”, në bashkëpunim, “Vrasje me dashje”, e kryer në bashkëpunim, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, “Organizim i lotarive të palejuara”, “Pastrim i produkteve të veprës penale” të kryer në bashkëpunim, “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie të pasurisë”, kryer në bashkëpunim, “Përkrahje e autorit të krimit”, ‘Moskallëzim krimi”, “Prodhim e shitje e lëndëve narkotike”, vepra penale këto të kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Safet Bajri (Rustemi), i njohur ndryshe si “i forti” i Shkodrës u arrestua n♪7 shtator 2018 në zonën e “Xhamllikut” në Tiranë.

Arrestimi i 34-vjeçarit në atë kohë u bë në kuadër të një procedimi penal të nisur nga Prokuroria për Krimet e Rënda, rreth 1 vit e gjysmë më parë, pasi ishte në listën e më të kërkuarve në Belgjikë.

Mediat në Belgjikë e kishin konsideruar 34-vjeçarin Safet Bajri (Rustemi), si bosin e një organizate kriminale të fuqishme në veri të Shqipërisë.