AKTUALITET, 22 Prill 2022, 10:27

I akuzuar për grabitje, grekët i vënë prangat “hijes”, shqiptari ishte në arrati prej 18 vitesh

I akuzuar për grabitje, grekët i vënë prangat

Prej 18 vitesh ai qëndroi i lirë, por aventura në arrati e një shqiptari ka marrë fund, pasi është arrestuar nga policia greke.

Sipas mediave, shqiptari akuzohet për një grabitje prej 20 mijë e 500 eurosh në Ilia.

Bashkëpunëtori i tij u arrestua dhe u dënua, por 47-vjeçari shqiptar mbeti i zhdukur dhe mesa duket besonte se autoritetet e kishin harruar edhe grabitjen edhe atë.

Kështu, me komoditetin e të pafajshmëve, në Javën e Madhe të Pashkëve u shfaq në një kafene në qendër të Amaliadës, por policët e kanë vënë re praninë e tij dhe kanë tentuar ta arrestojnë.

Edhe pse fillimisht arriti të arratisej, në ndjekjen që pasoi ai u arrestua përfundimisht. Sipas mediave vendase, i ashtuquajturi “fantom” i Amaliadës, kryesisht në vitet 2000, kishte kryer një mori krimesh.

Në fakt, në vitin 2006 ai arriti të arratisej në Itali, por si duket kishte mundur të hynte sërish në Greqi.