AKTUALITET, 2 Nëntor 2025, 10:36

Homazhet për Nanon/ Braçe: U dha mundësi të gjithëve, të bëheshin njerëz më të mirë. Malaj: Uroj të shërbejë si model për inspirim

Homazhet për Nanon/ Braçe: U dha mundësi të gjithëve,

Deputeti i PS, Erion Braçe kujtoi kontributin e Fatos Nanos në ndërtimin e Partisë Socialiste, duke theksuar se ai i dha mundësi të gjithëve, përfshirë edhe ata që vinin nga rrënojat e Partisë së Punës dhe të rinjtë që iu bashkuan më vonë.

Në një prononcim për mediat në homazhet në nder të ish liderit të PS, Braçe deklaroi se “Fatos Nano I dha lirinë e mundshme që të bëheshin njerëz më të mirë dhe të bënin një parti më të mirë sesa ajo që trashëgoi”.

"Fatos Nano i dha mundësi të gjithëve, edhe atyre që ishin në rrënojat e Partisë së Punës dhe gjithë të tjerëve që dolën më pas. Pa i mohuar kërkujt mundësinë për tu rritur, për tu zhvilluar dhe për të bërë karrierë brenda PS. I dha lirinë e mundshme që të bëheshin njerëz më të mirë dhe të bënin një parti më të mirë sesa ajo që trashëgoi"- tha Braçe.

Në fjalën e mbajtur pas kryerjes së homazheve në nderim të ish-kryeministrit Fatos Nano, bashkëpunëtori i tij i ngushtë, Arben Malaj u shpreh për mediat se ai ishte mendjehapur, liberal dhe u fokusua tek gjëja që kishte më të domosdoshme Shqipëria, paqja sociale.

“E gjithë qeverisja e tij ishte fokusuar në këtë drejtim, që të gjendeshin hapësira për të harruar ‘97 dhe për të ndërtuar paqe duke lënë hapësira përfaqësimi në institucionet kushtetuese dhe për opozitën e vendit. Është një model i veçantë, të shpresojmë që do të respektohet dhe do të shërbejë për inspirim”, tha Malaj.