AKTUALITET, 29 Prill 2026, 20:30

Hita takim me efektivët e komisariatit Krujë: Të punohet për parandalimin e kultivimit të kanabisit

Hita takim me efektivët e komisariatit Krujë: Të punohet për

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, pas inaugurimit të Komisariatit të Policisë Krujë, me prezencën e ministrit të Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, zhvilloi një takim pune me efektivat e këtij komisariati.

Hita kërkoi nga drejtuesit dhe efektivët e Policisë së Krujës punë profesionale për sigurimin e informacionit, me qëllim parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, identifikimin dhe goditjen e financuesve dhe trafikantëve të kanabisit, si dhe kapjen e personave në kërkim, duke u ndalur te një i kërkuar që, sa herë ushtron kontroll Policia, i gjenden armë në banesë dhe ende nuk është kapur.

Armëmbajtja pa leje, krimet mjedisore, si dhe ndjekja në dinamikë e shqetësimeve të qytetarëve, sado të vogla qofshin ato, ishin disa nga porositë e tjera që drejtori i Përgjithshëm la, duke kërkuar më shumë angazhim dhe profesionalizëm.

Më tej, Hita kërkoi performancë më të mirë nga punonjësit e Policisë, duke theksuar se ambientet e reja ku do të punojnë kërkojnë një angazhim tjetër, me qëllim që qytetarët të marrin një shërbim sa më cilësor.

Në fund të takimit, Drejtori i Përgjithshëm kërkoi nga shërbimet e Policisë Rrugore që të zbatojnë me rigorozitet porositë e dhëna, duke u fokusuar te teknologjia për evidentimin e shkeljeve.