AKTUALITET, 4 Gusht 2024, 15:08

Himarë/ Zgjedhje dhe plazh, moti i nxehtë nuk i frenon votuesit, shifra më të larta se një vit më parë

Himarë/ Zgjedhje dhe plazh, moti i nxehtë nuk i frenon votuesit,

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përditësuar të dhënat mbi numrin e votuesve që kanë marrë pjesë në zgjedhjet për kreun e Bashkisë së Himarës, ndërsa garojnë përballë njëri-tjetrit, Vangjel Tavo i mazhorancës dhe Petro Gjikuria i opozitës. 

Sipas KQZ-së, nga të dhënat e 30 qendrave të votimit nga 36 që ka gjithsej Bashkia e Himarës, pjesëmarrja deri në orën 18:00 ishte 36.01 %, shifër kjo më e lartë se ajo e një viti më parë kur zgjedhjet mbaheshin në 14 maj mes Fredi Belerit dhe Jorgo Goros. 

Deri tani votimi ka qenë i qetë, me përjashtim të problemit të personave me karta ID dhe pasaporta të skaduara, të cilët nuk janë lejuar të votojnë pasi nuk e lejon ligji. Opozita ka qenë më vokale në artikulimin e këtij shqetësimi.