TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Pak kohë më parë kryeministri Rama u ankua publikisht se në mes të Tiranës një grataciele po ndërtonte kate shtesë. Fjala ishte për kullën “Syri i Tiranës”, që po përfundon në hapësirën mes rrugës së Durrësit dhe Rrugës së Kavajës dhe që do t’i bëjë hije në perëndim, sheshit “Skënderbej”.
Tre javë më parë, gjatë prezantimit të Drejtorit të ri të Përgjithshëm, Mehmet Rrumbullaku, kryeministri caktoi si një nga përparësitë e lidërshipit të Rrumbullakut kontrollin e territorit dhe goditjen e ndërtimeve pa leje. Në fjalën e tij, Rama mori si referencë këtë kullë, pa ia përmendur emrin, duke kërkuar ndërhyrje të pamëshishme dhe të mënjëhershme.

“Një pallat pa leje në mes të Tiranës. Kjo kërkon një adresim të menjëhershëm, të pamëshirshëm do të thosha unë ndaj atyre pasuruarve, ashtu edhe ndaj punonjësve të policisë që qytetarëve u tregojnë dhëmbët dhe pasuruarve u puthin këmbët”, tha Rama.
Sipas të dhënave kulla nga 26 kate, është bërë 32 dhe kjo nën hundën e Policisë së Shtetit që sot i kushtoi vendin e punës shefit të komisariatit numër 1 dhe disa vartësve të tij që toleruan atë dhe disa ndërtime të tjera.
“Eyes of Tirana” u krijua pas një konkursi arkitekture në 2003, i ngritur nga kryetari i atëhershëm i Bashkisë së Tiranës Edi Rama. Konkursi u fitua nga studio daneze “Henning Larsen Architects”. Më 12 dhjetor 2017 Këshilli Kombëtar i Territorit e miratoi ndërtimin e “Eyes of Tirana”.

“Ka një sipërfaqe totale prej 55.444 m2 nga të cilat 2.421 m2 (në 4 nivele) zonë hotelerie. Zonë restorantesh 600 m2, hapësirë zyrash për qera: 13.354 m2 (4 kate), zonë për apartamente: 6.836 m2 (4 kate)” thuhet në faqen zyrtare të Edil AL, që kishte pronësinë atëherë për tia shitur më pas një ndërtuesi me pak emër Armand Lilo, të kompanisë “ARLIS CONSTRUCION”, që është kushëri me bashkëshorten e ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, që më 25 prill 2021 u bë deputet, edhe pse Rama e la jashtë listës fituese të PS-së në qarkun e Tiranës.
Vetëm një ditë pasi Rama vuri në shënjestër kullën ‘Eyes of Tirana”, nisi aksioni për konfiskimin e kateve e të metrave shtesë të ndërtuara në shkelje të ligjit e të lejes së ndërtimit.
Sipas VKM-së së qeverisë për ndërtimet e konfiskuara, ato mund të blihen nga ndërtuesi apo kushdo subjekt i autorizuar prej tij, siç ndodhi pak ditë më parë me katet shtesë në pallatet e “zbuluara” në Farkë.
Mediat pranë qeverisë tani po pompojnë lajmin se pronari ka pranuar ta dhurojë shtesën pa leje 4600 metra të kullës në qendër të kryeqytetit me emrin “Eyes of Tirana”, duke mos pranuar as shembjen e tyre, as blerjen dhe as gjobën. Sipas llogarive të bëra kjo pasuri e falur, me çmimin referencë të vendosur nga qeveria kushton sot rreth 10 milionë euro nëse do të shitej për banim dhe mbi dy herë më shumë nëse do të përdorej për biznes.