AKTUALITET, 2 Maj 2022, 22:49

"Gylenistët kanë uzurpuar KMSH-në!"/ Gurra dhe Topulli: Ja kush e pengon inagurimin e Xhamisë së Namazgjasë

"Gylenistët kanë uzurpuar KMSH-në!"/ Gurra dhe Topulli:
Ylli Gurra dhe Justinian Topulli

Xhamia e Namazgjasë vijon të jetë në ndërtim edhe pse ka nisur punimet në vitin 2015. 

Kjo xhami nuk inagurohet, sepse duket se ka një ngërç që lidhet me problematika në Komunitetin Mysliman dhe faktin se Erdogan i ka shpallur luftë gylenistëve. 

Në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, ish myftiu i Tiranës, Ylli Gurra dhe hoxha Justinian Topulli, shpjeguan përse nuk përfundojnë punimet për këtë xhami dhe përse ajo nuk inagurohet, duke bërë që besimtarët myslimanë të falen nëpër sheshe. 

Pjesë nga biseda në studio: 

Ylli Gurra: Xhamia ka startuar fizikisht, fillimi i punimeve, 13 maj 2015. Xhami të tilla ka me dhjetëra në Turqi dhe kohëzgjatja merr 36 muaj.

Ylli Rakipi: Kush e pengon përfundimin dhe inagurimin e xhamisë?

Ylli Gurra: Nuk ka asnjë faktor të jashtëm për tu penguar. Nëse do të kishte faktor të jashtëm, do të flisnim për kalvarin denigrues të filluar në vitin 1991. Janë vendosur tre herë gurë themele aty.

Ylli Rakipi: Diçka ka që pengohet.

Justinian Topulli: Guri i Themelit të asaj xhamie, është vënë që në kohën e Sali Kelmendit dhe ajo xhami nuk u bë. Ishte pjesë e një projekti të madh, kur ishte Nano kryeministër.

Ylli Rakipi: Sulltani, Erdogani, i kërkon Ramës që të merren masa ndaj gylenistëve. Thonë që xhamia nuk inagurohet prej kësaj pune. Se ju jeni nga krahu i Erdoganit më shumë.

Justinian Topulli: Ne jemi krah objektiv. A është arsyeja e vonesës së xhamisë, edhe komuniteti mysliman apo prezenca e gylenistëve aty? Sigurisht që është. Kjo dihet edhe pse nuk është deklaruar zyrtarisht. Dihet që gylenistët kanë kapur drejtimin e KMSH, përmes metodave manipuluese. Ata mund të mos jenë të përfshirë në aktet terroriste, por janë idhtarë të një grupimi që shteti turk e ka shpallur terrorist. Turqia ka bërë një xhami që ia dhuron popullit shqiptar dhe nuk mund të bashkëpunojnë me një organizatë që e konsiderojnë terroriste. Kjo është ndoshta një nga arsyet përse është tejzgjatur përfundimi i xhamisë. Mund të ketë edhe arsye të tjera, mungesë fondesh, etj.

Ylli Rakipi: Erdogan ka konsideruar që në KMSH ka gylenistë. Kush i përkrah ata?

Ylli Gurra: Shqipëria është i vetmi vend, ku institucioni shekullor, më i vjetër se Kosovë dhe Maqedoni, është i uzurpuar, i marrë nga ky grupim, jo pa stretegji. Lexohet shqip. Nuk ka nevojë të vijnë akuza nga presidenti i një vendi tjetër. 

Ylli Rakipi: Nëse ata janë gylenistë, ju jeni erdoganistë, mbështetës të tij.

Justinian Topulli: Ai e ka kërkuar për hesap të vet, ne e kërkojmë për hesap tonë. Duket qenë se zëri ynë nuk dëgjohet, ne e shfrytëzojmë këtë. Nëse ata janë pakicë që nuk na përfaqësojnë ne dhe kanë ardhur në kundërshtim me statutin, përse duhet të qëndrojnë aty?