AKTUALITET, 4 Gusht 2022, 13:54

Goditi me skaf për vdekje 7-vjeçarjen, Arjan Tase do akuzohet për “vrasje me dashje”. Prokuroria ashpërson masën

Goditi me skaf për vdekje 7-vjeçarjen, Arjan Tase do akuzohet

Prokuroria pritet të ashpërsojë akuzën për shefin e shkarkuar të policisë, Arjan Tasen.

News24 raporton se ai do të akuzohet për “vrasje me dashje”.

Kujtojmë se Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) njoftoi se kishte arrestuar në flagrancë Arjan Tasen, dhe se ndaj tij ishte ngritur akuza “Vrasje e kryer nga pakujdesia” parashikuar nga neni 85 i Kodit Penal.

Tase kishte detyrë Shef i Seksionit të Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan, por menjëherë pas ngjarjes së rëndë që ndodhi në plazhin e Potamit, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gledis Nano e përjashtoi nga radhët e Policisë.

NGJARJA

Sipas AMP, ngjarja ka ndodhur në rrethanat si më poshtë:

Në datën 02.08.2022, rreth orës 14:00, shtetasi Arjan Tase, i cili ishte me pushime në Himarë, ka qenë duke drejtuar një mjet lundrues me dy motorë, nga Porto Palermo drejt Potamit, ndërsa në bord kishte edhe familjarë të tij.

Në vendin e quajtur plazhi i Potamit, në kundërshtim me rregullat e qarkullimit ujor, shtetasi Arjan Tase, ka futur mjetin lundrues në hapësirën ujore të përcaktuar për pushuesit. Kjo hapësirë ujore ka qenë e rrethuar me bova plastike, sipas përcaktimeve në aktet ligjore që normojnë këtë aktivitet.

Pasi ka zbarkuar në breg personat e tjerë në bord, shtetasi Arjan Tase, ka kryer manovrime të pakujdesshme për të kthyer mjetin lundrues sërish në det të hapur. Nga këto manovrime të pakujdesshme, 15 metra larg bregut, drejtuesi i mjetit Arjan Tase, ka goditur me pjesën e prapme të mjetit lundrues, shtetasen e mitur J.A., duke i shkaktuar plagë të rënda që kanë sjellë humbjen e menjëhershme të jetës.