AKTUALITET, 15 Shtator 2025, 22:54

Gjyqi në Hagë ndaj krerëve të UÇK-së, Petrit Selimi: Procesi ka kaluar në deformime serioze

Gjyqi në Hagë ndaj krerëve të UÇK-së, Petrit

Petrit Selimi, ish-zv.ministër i Jashtëm i Kosovës dhe bashkëpunëtor i Hashim Thaçit, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, u shpreh se gjyqi nga drejtuesve të UÇK-së në Hagë, është një proces që ka kaluar në deformime serioze. Selimi u shpreh se dëshmitë kundër tyre janë marrë në Beograd dhe se shqiptarët janë parë si agresorë dhe jo viktima siç ishin.  

"Procesi ka kaluar në deformime serioze. E para, akuzat nuk ishin individuale, por u fokusuan në "ndërmarrje e përbashkët kriminale”, ku i gjithë shtabi i UÇK u akuzua dhe në majë ishte Hashim Thaçi. Kjo u kundërshtua nga kosovarët dhe ekspertët, pasi pretendimi se kishte UÇK strukturë dhe llojin e organizimit si ushtri botërore, nuk qëndron.

Pika e dytë, prokurorët po pranonin edhe zyrtarisht dëshmi të ofruara nga periudha e Sllobodan Millosheviçit nga prokurori serb. U morën dëshmi në Beograd dhe ky ishte paradoks, pasi Beogradi ishte okupator dhe ishte palë.

Pika e tretë, vetë narracioni i prokurorëve, narracion revizionist mbi luftën e Kosovës, ku shqiptarët shihen si agresorë, ata që filluan dhe vijuan me vrasje, me akuza të llahtarshme, ndërsa serbët viktima të UÇK. Pra aspekti i rrëfimit, por edhe aspekti i dëshmive dhe fakteve, Prokuroria e bëri një punë të rrezikshme.

Duke insistuar që Hashim Thaçi është “krye-dreqi”, komandant i ekipeve ekzekutuese, ky narracion dhe kjo akuzë, u ballafaqua sot për herë të parë me të vërtetën, që doli nga goja e James Rubin, ish zëdhënës i DASH, ish bashkëpunëtor i Albright dhe shumë pozita të tjera të larta në State Department. Një njeri i mirëinformuar, pjesë e delegacionit edhe në Rambuje. Ishte amerikani më i afërt në atë kohë me zotin Thaçi. Ai shpjegoi se mori detyrim nga Albright që të punonte ngushtë me Thaçin", deklaroi ndër të tjera Selimi, duke shtuar se është optimist se në fund të procesit krerët e UÇK do të lirohen”.