TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Sot Gjykata Kushtetuese do të vendosë nëse do të kalojë apo jo për shqyrtim ankimimin e Këshillit të Ministrave ndaj masës së sigurisë pezullim nga detyra të zëvendëskryeministres dhe ministres Belinda Balluku nga GJKKO, e cila eshte nen hetim nga SPAK.
Kryeministri Edi Rama nuk e shkarkoi nga detyra Ballukun pas pezullimit nga GJKKO, por i hoqi të drejtën e firmës ndërsa iu drejtua Kushtetueses. Qeveria kërkon të zgjidhet mosmarrëveshja e kompetencave e krijuar mes saj dhe GJKKO-së dhe shfuqizimin e vendimit për pezullimin nga detyra.
Parashikimi kushtetues, sipas të cilit anëtari i qeverisë gëzon imunitetin e deputetit, është pika kryesore mbi të cilin Kryeministrit Edi Rama ka ndërtuar ankimin. Sipas ankimit, për sa kohë nuk mund të vendoset gjyqësisht pezullimi nga detyra i deputetit, kjo s’mund të ndodhë as për një ministër.
Në ankimim flitet për ndërhyrje të pastër në kompetencat e një tjetër pushteti, siç është ai ekzekutiv dhe se GJKKO ka marrë atribute që nuk ia njeh Kushtetuta. Qeveria nuk e ka ankimuar në Kushtetuese masën tjetër të sigurisë për ndalimin e daljes jashtë shtetit.
Nga ana tjetër, Miliana Muça do të jetë gjyqtarja në Gjykatën e Posaçme të Apelit, që do të shqyrtojë ankimin e masave të sigurisë të kërkuara nga SPAK dhe caktuara nga GJKKO për zëvendëskryeministren Balluku dhe dy vartësit e saj, drejtorin e KESH Erald Elezi, dhe drejtorin e ARRSH, Gentian Gjyli.
Më 20 nëntor, Gjykata e Posaçme pezulloi nga detyra zv.kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke i ndaluar gjithashtu të drejtën për të dalë jashtë vendit.