AKTUALITET, 7 Qershor 2023, 17:31

“Gërdeci”/ U bënë palë në procesin kundër Mediut, Zamira Durda: Djalin tim e vrau shteti

“Gërdeci”/ U bënë palë në procesin

Teksa sot GJKKO vendosi që të bëjë pjesë të procesit ‘Gërdeci’ 290 persona, familjarë të viktimave dhe të plagosur nga tragjedia e ndodhur në mars të 2008, vjen një reagim nga nëna e një prej viktimave. Vendimi u mor të mërkurën gjatë procesit ku i pandehur është marrë ish-ministri Fatmir Mediu.

Avokati i familjarëve të viktimave të Gërdecit, Dorian Matlija e cilësoi një fitore për familjen Durda pasi që nga viti 2009 që e ka pasur një kërkesë të tillë që nuk është pranuar. Zamira Durda, e cila prej 15 vjetësh kërkoj drejtësi për djalin e saj 7-vjeçar të vrarë në shpërthimin e ndodhur në Gërdec, e cilësoi një fitore të vogël.

Ajo tha për mediat se provat për Gërdecin janë publike dhe se djali i saj është vrarë nga krimi shtetëror i Ministrisë së Mbrojtjes.