AKTUALITET, 4 Mars 2026, 21:01

Gazment Bardhi: Mazhoranca po emëron e vetme institucionet e pavarura, po e çon Shqipërinë drejt një shteti njëpartiak

Gazment Bardhi: Mazhoranca po emëron e vetme institucionet e pavarura, po e

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar lidhur me procesin e emërimeve në institucionet e pavarura, duke akuzuar mazhorancën se po e çon vendin drejt një “shteti njëpartiak”.

Në një reagim të publikuar në Facebook, Bardhi shprehet se Shqipëria po lëviz “në drejtimin e gabuar”, duke kaluar nga një demokraci parlamentare drejt përqendrimit të pushtetit në duart e një force të vetme politike.

Sipas tij, mazhoranca po emëron e vetme drejtuesit e institucioneve që, sipas Kushtetutës, duhet të jenë të pavarura nga qeveria, duke përmendur mes tyre Avokatin e Popullit dhe Bankën e Shqipërisë.

Ai shton se një qeveri që përqendron pushtetin, dobëson institucionet e pavarura dhe ushtron kontroll mbi to, nuk e afron vendin me Bashkimin Europian, por përkundrazi e largon nga ai.

Reagimi i Bardhit: 

SHQIPËRIA NË DREJTIMIN E GABUAR: NGA DEMOKRACI PARLAMENTARE DREJT SHTETIT NJËPARTIAK!
Mazhoranca po emëron e vetme institucionet që duhet të jenë të pavarura prej saj, nga Avokati i Popullit tek Banka e Shqipërisë.
Kur një parti merr në dorë institucionet kushtetuese, që duhet ta kontrollojnë atë, balanca e pushteteve zhduket. Kjo nuk është më demokraci parlamentare. Është shtet njëpartiak.
Dhe një qeveri që përqendron pushtetin, dobëson institucionet e pavarura dhe i kontrollon ato, nuk afrohet me Bashkimin Europian, largohet prej tij!