AKTUALITET, 9 Nëntor 2023, 12:57

Foshnja e braktisur ndërroi jetë, arrestohet nëna 30-vjeçare

Foshnja e braktisur ndërroi jetë, arrestohet nëna

Pak orë pasi foshnja që u braktis në bodrumin e një pallati ndërroi jetë, policia ka arrestuar nënën 30-vjeçare.

Me anë të një njoftimi, policia sqaron se nëna e re akuzohet për veprën penale “Braktisja e fëmijëve të mitur”.

Ditën e djeshme, shërbimet e Policisë, së bashku me stafin mjekësor, kanë dërguar në spital, foshnjën e braktisur nga kjo shtetase, por pavarësisht ndihmës së menjëhershme të dhënë nga shërbimet e Policisë dhe stafit mjekësor, ditën e sotme foshnja ka ndërruar jetë.

Njoftimi i policisë

Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, që bën fjalë për gjetjen e një foshnje të sapolindur, në bodrumin e një pallati në Yzberisht, ju informojmë se:

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 kanë arrestuar shtetasen E. I., 30 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Braktisja e fëmijëve të mitur”.

Ditën e djeshme, shërbimet e Policisë, së bashku me stafin mjekësor, kanë dërguar në spital, foshnjën e braktisur nga kjo shtetase, por pavarësisht ndihmës së menjëhershme të dhënë nga shërbimet e Policisë dhe stafit mjekësor, ditën e sotme foshnja ka ndërruar jetë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

RELACIONI I PLOTË:

Foshnja me Nr.123, i seksit mashkull, Nr. kartele 238, me peshë 3580 g, u paraqit në Repartin e Terapisë Intensive Neonatale të maternitetit ‘Koço Gliozheni’, i shoqëruar me policin e shërbimit dhe infermieren, në gjendje të traumatizuar, të dëmtuar, pa shenja jete. Referohet i gjetur në garazhin e një pallati në zonën e Yzberishtit në gjendje të rëndë, i zhveshur, kordoni umbelikal i paklampuar, mbuluar me hemorragji profuze, me shenja jete (sipas infermieres).

Në momentin e ardhjes në reanimacion bebi i mbuluar me gjak e baltë, konstatohet hipotermi e thellë, dërrmishje të syrit të majtë, të gojës, të gishtave të dorës së djathtë me falanga të ruajtura, ekimoza të zonës skrotale, të cilat u evidentuan pas larjes së bebit. Pa shenja jete, pa respiracione, pa tone kardiake, klampohet kordoni umbelikal. U reanimua intesivisht, intubohet, masazh kardiak, izolohet linja periferike ku aplikohen medikamente për reanimim. Pas reanimimit intensiv prej 40 minutash, shfaqi shenja jete, bradikardi të thellë, reagime të dobëta. U bë mjekimi i plagëve në kushtet e asepsisë. Me fenomene hemorragjike nga pulmonet, dhe vendet e manipulimit. U porosit mase eritrocitare, plazmë e freskët e ngrirë. Mbetet në gjendje tepër të rëndë i lidhur me aparatin e ventilimit me parametra maksimalë.

NGJARJA

Ngjarja ndodhi ditën e djeshme, ku fëmija, sipas të dhënave të policisë, ishte i braktisur dhe i lënë në një divan të keq që gjendej bodrumin e një pallati në zonën e Yzberishtit.

Menjëherë janë vënë në lëvizje mjekët për të pritur fëmijën dhe me t’u dërguar në spital është mësuar se në fakt fëmija sapo kishte lindur; pra ishte braktisur menjëherë.

Foshnja është lënë në duart e mjekëve të spitalit “Kiço Glozheni”, ku fillimisht u tha se gjendja shëndetësore ishte e stabilizuar, por më vonë gjendja erdhi duke u rënduar dhe nga një relacion i lëshuar nga spitali orëve të vona tregon se foshnja kishte shumë probleme shëndetësore.

Ndonëse u be e pamundura qe te mbahej ne jete, sot ndërroi jetë në spital.